Sulmuesi tajlandez ende në arrati, ushtari hap zjarr, vret 17 vetë
Një incident i rëndë ka ndodhur në Bangkok të Tajlandës...

Një incident i rëndë ka ndodhur në Bangkok të Tajlandës, ku një ushtar ka vrarë me armë 17 vetë dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë.
Një zyrtar deklaroi se nga sulmi i armatosur kishte 17 viktima dhe 14 janë plagosur. Sulmi nisi, kur ushtari vodhi armë e municion në kazermë e qëlloi mbi dy ushtarë të tjerë e mbi komandantin. Më pas, ai ka nisur të qëllojë edhe ndaj civilëve në një qendër tregtare, duke shkaktuar një masakër të vërtetë.
Policia e ka rrethuar ndërtesën e qendrës tregtare ku dyshohet se ndodhet sulmuesi dhe ka kërkuar nga banorët lokalë që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre.
Gazeta lokale “The Bangkok Post” raportoi se ushtari 32-vjeçar ka marrë pengje brenda ndërtesës. Megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga organet kompetente.
Raportohet se brenda qendrës tregtare janë dëgjuar përsëri të shtëna armësh.
Në rrjetet sociale u shpërnda një video, ku duket qartë se ushtari qëllon mbi kalimtarët e rastit, ndërsa këta të fundit ikin me vrap që të shpëtojnë. Më herët, ai e kishte publikuar një fotografi me pistoletë, me fjalët “është koha të magjepsem” dhe “askush nuk mund t’i shmanget vdekjes”.
Llogaria e tij në Facebook tashmë është mbyllur.
