I’u dha lamtumira e fundit Nexhmije Pagarushas, ylli i muzikës shqipe
Në Fshatin Pagarushë të Malishevës me një ceremoni familjare....

Në Fshatin Pagarushë të Malishevës me një ceremoni familjare është varrosur, këngëtarja Nexhmije Pagarusha e cila u nda nga jeta të premten në moshën 86 vjeçare.
Në nderim të jetës dhe veprës të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt një mbledhje komemorative.
Në këtë ceremoni, morën pjesë politikanë e artistë nga vendi dhe rajoni. Në nderim të jetës dhe veprës të artistes së madhe ditën e sotme Presidenti Thaçi e ka shpallur ditë zie. Ndërkohë kryeministri dhe kryeparlamentarja e Kosovës Kurti dhe Osmani lartësuan krijimtarinë dhe kontributin e Pagarushës që i ka dhënë filmit, teatrit e këngës shqipe.
“Muzika dhe arti tashmë kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ynë ka humbur anëtarën më të dashur dhe më të çmuar. Ata që kishin fatin ta njihnin nga afer e kuptonin madhështinë e saj prej artisteje, dhe thjeshtësinë e jetës së saj. Ata që kishin fatin të punonin me të, tregonin për diciplinën dhe përkushtimin në punë“ – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se këngët e Pagarushs i kanë dashur që nga fëmijëria. dhe se populli shqiptar është i detyruar ta kujtoj gjithmonë. Sipas saj, Pagarusha nuk jetonte vetëm në një shoqëri e në një hapësirë, por ajo i krijonte dhe zgjeronte këto hapësira duke krijuar identitetin e këngës shqipe.
“Bilbili ynë i krijonte hapësirat,i zgjeronte ato,duke krijuar identitet të ri,ashtu siç e krijoi identitetin e kangës shqipe duke e nxjerë atë nga konturat e vjetra ajo e krijoi edhe identitetin e shoqëris shqiptare të Kosovës” – tha Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Pagarusha ka lënë gjurmë të mëdha te secili prej nesh, iku për të mos u harruar kurrë e për t’u përjetësuar çdoherë përmes këngëve të saj. (Gyltene Sinani, TVM2)
