Maqedoni

Dhurata për jetimët në Çair

03.10.2014 16:07

Edhe pse nuk mund t’ua plotësojmë mungesën e prindërve, së paku mund të ndikojmë në lumturinë e tyre...

Me këto fjalë, në prag të “Kurban Bajramit” u ndanë dhurata simbolike fëmijëve pa prindër të Komunës së Çairit. Ky aksion humanitar u realizua nga Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Klubin Futbollistik “Shkupi”, Klubin e Hendbollit “Çairi” dhe Shoqatën Joqeveritare për Kurajo Rini dhe Sport.
 
“Komuna e Çairit ka një eksperiencë shumëvjeçare në këtë drejtim, aktivitete të karakterit human janë mbajtur vite me radhë dhe realizimi i tyre ka qenë shumë i suksesshëm. Kësaj here vendosëm që një grup të caktuar të fëmijëve t’i gëzojmë me dhurata modeste”- deklaroi përfaqësuesja e Komunës së Çairit, Kaltrina Zekolli.
 
“Bashkërisht me sportistët tanë, me futbollistët tanë çdo herë këto iniciativa do t’i përkrahim dhe fuqimisht do t’i mbështesim”- tha portieri i Klubit Futbollistik “Shkupi”, Visar Ganiu.
 
“Mendojmë se këta fëmijë kanë shumë gjëra, po së paku t’i përkëdhelim sinqerisht, apo t’u japim një përqafim nga zemra”- theksoi trajneri i Klubit Futbollistik “Shkupi”, Zekirja Radamadani.
 
“Ndjej kënaqësi që marrim pjesë në një aksion për të ndihmuar fëmijët jetimë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë”- u shpreh anëtari i grupit “Shfercerat”, Premtim Saliu.
 
Ata bëjnë me dije se aksione të ngjashme do të ketë gjatë gjithë vitit dhe se do të kontribuojnë në lumturinë e shumë fëmijëve jetimë.
 
RINA TURKESHI SAHITI