Maqedoni

Dënime deri në 500 euro për shkelje të rregullave në komunikacion

03.10.2014 16:10

Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet rritjes së gjobave në komunikacion, por edhe kufizimit të afatit për pagesën e dënimeve...

Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet rritjes së gjobave në komunikacion, por edhe kufizimit të afatit për pagesën e dënimeve, pretendon të ngrisë vetëdijen e vozitësve dhe të rrisë sigurinë në komunikacion.
 
Për këtë qëllim tanimë është përgatitur Propozim-ligji për Siguri në Komunikacionin Rrugor, bën të ditur zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski. Ai, sqaron se propozim-ligji parasheh pagesën e gjobave në afat prej 8 ditësh, apo evidentim të pikëve negative. 
 
“Një nga drejtimet është preventive, përkatësisht përmirësimi i rregullativës së përgjithshme ligjore, e cila ka të bëjë me trajnimin për kandidatët e marrjes së lejes për vozitje. Po ashtu, bëhet fjalë edhe për ndryshime që kanë të bëjnë me sanksionimin. Këtu aplikohen dënime të reja për shkelje, por edhe rritje e dënimeve për shkelje, që ishin të dënueshme edhe me ligjin e kaluar. Por, në ligjin e ri ka edhe ndryshime, që kanë të bëjnë me mënyrën e pagesës së dënimeve”- deklaroi Ivo Kotevski nga MPB.
 
Ndërsa në kuadër të fushatës për sensibilizimin e udhëtarëve në trafik, ka folur sot edhe kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili tha se udhëtarët që voziten në taksi duhet të informohen që të mbajnë të lidhur rripin e sigurisë në karrigen e fundit.
 
“Duam që ta ngremë vetëdijen e qytetarëve për shfrytëzimin e rripit të sigurisë jo vetëm në karriget e para, por edhe në të fundit. Taksi-kompanitë kanë ngjitur epitete në dyert e fundit, që t’i rikujtojnë udhëtarët që duhet të lidhin rripin”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Nga MPB, njoftojnë se të gjithë ata vozitës që nuk do të vendosin rripin e sigurisë, do të marrin gjobë prej 45 euro, apo 25 pikë negative, ndërsa për udhëtarët  dënimi vijon 50 euro.
 
Po ashtu, nëse tejkalohet shpejtësia e paraparë me shpejtësi maksimale 50 kilometra në orë nëpër vendbanime, gjoba do të jetë 500 euro dhe 65 pikë negative, si dhe ndalesë prej 6 muaj deri në një vit.
 
Nëse tejkalohet shpejtësi më shumë se 10 kilometra në orë nga ajo që është e lejuar me ligj, dënimi do të jetë 20 euro, ndërsa nëse tejkalohet për 20 deri në 30 kilometra shpejtësi në orë, gjoba do të jetë 45 euro apo 25 pikë negative, kurse nëse tejkalohet shpejtësia prej 30 deri në 50 kilometra në orë, dënimi do të jetë 300 euro apo 50 pikë negative, si masë disiplinore, ndalesë për të drejtuar automjet nga 6 muaj deri në një vit.
 
Vozitësit profesionistë, tek të cilët do të gjendet alkool në gjak edhe atë 0,5 milje alkool, do të gjobohen me 200 euro apo 40 pikë negative dhe për një vit do t’ju merret leja për vozitje.
 
MEMEDALI JUSUFI