Maqedoni
LSDM: Ligji i Prokurorisë, në procedurë kuvendore
10.02.2020 17:50
Ligji i Prokurorisë Publike është lëshuar në procedurë parlamentare, bëri të ditur deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski....

Nga LSDM thonë se teksti i propozim-ligjit është harmonizuar me partitë politike, ndërsa janë pranuar edhe vërejtjet e ekspertëve, prandaj presin edhe përkrahjen e deputetëve të VMRO-së.
“Shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM, është e bindur se është siguruar bazë e mjaftueshme, kjo zgjidhje ligjore të fitojë përkrahjen e të paktën 80 deputetëve. Qytetarëve u kemi premtuar drejtësi, shtet të fuqishëm juridik dhe gjyqësi të pavarur. Ky ligj e mundëson këtë. Me këtë ligj garantohet se të gjitha lëndët gjyqësore që dalin nga PSP do të kenë zgjidhje juridike. Procedurat për këto procese do të jenë profesionale, korrekte dhe të bazuara në dëshmi. Po ashtu ky ligj garanton se nuk ka amnisti të fshehtë për askënd dhe secili që akuzohet do të dëshmohet para institucioneve në përputhje me ligjin. Miratimi i Ligjit të Prokurorisë do të thotë kontribut i madh i perspektivës evropiane të shtetit dhe integrimin e qytetarëve tanë në familjen evropiane.”,- tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
Mickoski: Deputetët të mos e përkrahin pr/ligjin
Propozim-ligjin nuk e mbështet VMRO-DPMNE. Kreu i kësaj partie, Hristian Mickovski, deklaroi se ai angazhohet për drejtësi absolute, pa përjashtim.
“Ranë maskat, u vërtetua se Zaev po lufton për amnisti, ka frikë nga skandalet që po qarkullojnë në opinion. Unë jam për drejtësi absolute, e cila do të vlejë për të gjithë, pa përjashtim. Kushtetuta patjetër të vlejë për të gjithë njësoj. I ftoj deputetët të mos e votojnë këtë ligj. Një ligj i tillë nuk ka lidhje me vlerat evropiane. Dëgjoni profesorët çka thonë. Menjëherë të formojmë ekip të ekspertëve juridikë të përpilojmë ligj, për ne është me rëndësi të kemi ligj kualitativ, e jo amnisti për Zaevin.”,- tha Hrsitian Mickovski nga VMRO-DPMNE.
Ahmeti: Votojmë vetëm ligjin që u dakorduam
Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se partia e tij do të votojë vetëm propozim-ligjin e dakorduar një ditë më parë në qeveri, e jo theksin e ndryshuar i cili është kërkuar në kuvend.
“Për BDI-në është i pranueshëm ligji i dakorduar mbrëmë, asnjë variant tjetër nuk është i pranueshëm. Unë di ligjin e dakorduar, por ligjin që ka pasur ndryshime sipas vullneteve të tjerëve nuk e di, sepse unë jam në takime të vazhdueshme dhe para takimit jam informuar se ligji i dakorduar nuk është prezantuar në parlament dhe përmbajtjen e ndryshimeve nuk e di, unë di vetëm ligjin e dakorduar.”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
ASh: Neni 110 parasheh amnisti për kriminelët
Edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thonë se nuk janë konsultuar me versionin e fundit të ligjit, i cili ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Kuvend.
“Duhet të them se për hir të korrektësisë se një pjesë e propozimeve tona janë marrë parasysh nga propozuesi. Por, për fat të keq nga ajo që po shohim, version i fundit që lëshohet në procedurë parlamentare ka një ndryshim drastik tek neni 110. Me këtë nen sugjerohet amnisti e përgjithshme i të gjithë atyre që janë përfshirë në krim dhe korrupsion.”,- theksoi deputeti i ASh-së, Syreja Rashidi.
Besa: Propozim-ligji i prokurorisë parasheh amnisti të re
“Ne nuk do ta përkrahim një propozim-ligj të kësaj natyre duke pasur parasysh arsyen se kemi një version të ndryshuar të propozim-ligjit nga ajo që paraprakisht në opinionin publik dhe gjithë ne si subjekte politike kemi qenë të njoftuara. Vlerësojmë se përmes këtij propozim-ligji qeveria dëshiron të bëjë një amnisti të re në vend.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Pas dorëzimit në kuvend të propozim-ligjit të prokurorisë, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka caktuar seancën e 134, ku pritet të miratohet nevoja për sjelljen e ligjit.
SANIJE DURAKU
