Maqedoni
ISHP: Të prekurit me “HIV-SIDA” kanë trajtim adekuat
03.10.2014 16:24
Të prekurit nga “HIV-SIDA”, pas diagnostifikimit në Institutin e Shëndetit Publik marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore

Të prekurit nga “HIV-SIDA”, pas diagnostifikimit në Institutin e Shëndetit Publik marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore, ndërsa identiteti i këtyre personave është i mbrojtur plotësisht. Kështu deklaron drejtori i këtij instituti, Shaban Mehmeti, duke demantuar prononcimet e sektorit joqeveritarë për trajtim joadekuat të personave të regjistruar me Hiv dhe për publikimin e identitetit të tyre.
“Ne jemi institucion referent për diagnostifikimin e “HIV-SIDËS”, ne kemi edhe regjistrin për të gjitha rastet e “HIV-SIDËS”. Gjithashtu, një komunikim të rëndësishëm kemi edhe me “Global Fond”, ku ne punojmë me rekomandimet e tyre, besueshmërinë, vullnetarizmin, këshillimin dhe testim për “HIV-SIDËN”. Të gjithë këto raporte që përmenda më herët, i dorëzojmë në pikat referente ndërkombëtare, siç janë: OBSH, Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve “ISDS”. Të gjitha dorëzohen në anonimitet vetëm me iniciale”- deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti.
Reagimi i Memetit vjen pas prononcimit të koordinatorit të grupit “Së bashku më të fuqishëm”, Andrej Senih, se personat me HIV, që ka nevojë për kujdes shëndetësor jashtë Klinikës për Sëmundje Infektive, ballafaqohen çdo ditë me refuzim të shërbimit shëndetësor dhe refuzim të ndërhyrjeve kirurgjike, me sjellje fyese, me zbulimin e statusit të tij para personave të tretë pa lejen e pacientit, me masa të paarsyeshme në institucionet shëndetësore sikur të ishte murtajë në epokën e sotme.
Statistikat e Institutit të Shëndetit Publik flasin se që nga viti 1987 kur është regjistruar rasti i parë e deri më sot janë regjistruar gjithsej 228 raste të prekur me “HIV-SIDA”, por viteve të fundit është evidentuar rritje e të prekurve nga “HIV-SIDA”, pasi për dallim nga viti 2011, kur janë evidentuar vetëm 9 raste brenda këtij viti, në vitin e kaluar janë evidentuar 27 raste, ndërsa këtë vit numri i të prekurve arrin në 31.
GYLTENE SINANI
