Maqedoni
Ligji për Lojërat e Fatit, LSDM dhe VMRO-DPMNE pa qëndrim
10.02.2020 18:30
Akoma nuk ka konsensus mes pushtetit dhe opozitës maqedonase në lidhje me Ligjin për Lojërat e Fatit....

Mbledhja e Komisionit për Financa dhe Buxhet, ku duhej të diskutohej pikërisht për ligjin në fjalë, në mungesë të kuorumit u shty për të martën. Dy partitë më të mëdha të bllokut maqedonas, LSDM dhe VMRO-DPMNE, akoma nuk kanë një qëndrim të qartë nëse do të votojnë për këtë propozim ligj.
“Ne e kemi votuar nevojën për procedurë të shkurtuar dhe kemi dhënë shans që ky ligj të futet në procedurë parlamentare. Gjithsesi, do të shohim si do të rrjedhin punët në komision, e rëndësishme është që nuk kemi bërë asnjë korrigjim të ligjit.”,- theksoi Jovan Mitreski nga LSDM.
Partitë shqiptare: Lojërat e fatit, 3 km larg vendbanimeve
Derisa nga VMRO-DPMNE akoma nuk kanë qëndrim rreth ligjit, partitë shqiptare janë njëzëri, mbështesin propozim ligjin që parashikon objektet e lojërave të fatit 3 km larg vendbanimeve.
“Ligjin për Lojërat e Fatit ndoshta ka 1 vjet që e kemi dorëzuar. Prandaj uroj që LSDM dhe VMRO, po edhe partitë tjera politike, të shohin iniciativat pozitive të BDI-së dhe nevojat e qytetarëve dhe t’i pranojnë këto iniciativa dhe të votojnë pro.”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
“Çështja e lojërave të fatit të zgjidhet në atë mënyrë që ata të dislokohen 3 km larg nga çdo vendbanim. Ky ligj atë kërkon dhe jam këtu për të apeluar të gjithë deputetët që ta mbështesin këtë ligj.”,- theksoi deputeti i ASh-së, Syrja Rashidi.
“Haptazi para opinion publik shprehemi se Lëvizja Besa mbështet me dy deputetë e saj këtë propozim ligj, ndërsa kemi përkrahur organizatën anti–bixhoz në gjitha aktivitet e tyre.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Versioni fillestar i ligjit parashikonte që lojërat e fatit të zhvendosen 500 metra larg kopshteve, shkollave dhe objekteve fetare ndërsa me ndryshimet e reja u inkorporuan edhe kërkesat e Lëvizjes anti-bixhoz që këto objekte të dislokohen 3 kilometra larg vendbanimeve. Nga Lëvizja anti-bixhoz që disa herë organizuan edhe protesta në Tetovë, sërish apeluan deputetët që interesi i përgjithshëm të jetë mbi atë partiak dhe të votojnë propozim ligjin që do të zhvendos përfundimisht lojërat e fatit nga vendbanimet.
ZEKIRJA MEXHITI
