Maqedoni
Neni 110 i propozimi/ligjit të prokurorisë, përgjimet nuk mund të përdoren për padi
10.02.2020 18:40
Versioni i propozim/ligjit për Prokurorinë Publike, që është dorëzuar në Kuvend...

Versioni i propozim/ligjit për Prokurorinë Publike, që është dorëzuar në Kuvend, përkatësisht nenin 110, që kontestohej nga VMRO-DPNE-ja opozitare, parashikon që materialet e përgjuara joligjore të mos mund të përdoren si bazë për padi dhe as dëshmi në gjykatë.
“Prokuroria Publike nuk mundet ta bazojë padinë në materialet e përgjuara joligjore. Përjashtim nga paragrafi (1) i këtij neni janë lëndët e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Veprave Kriminale që lidhen dhe që dalin nga përmbajtja e materialeve të përgjuara të dorëzuara në gjykatën kompetente deri më 30 qershor të vitit 2017. Materialet dhe transkriptat e materialeve nga materialet e përgjuara ilegale për lëndët e ngritura deri më 30 qershor 2017 mund të shfrytëzohen vetëm si indicie dhe për to nuk mund formohet akt-padi ose propozim-padi dhe të njëjtat nuk mund të propozohen dhe përdoren si dëshmi në procedurë për akt-padinë ose propozim-padinë”.
Propozim-ligji parashikon që materialet e përgjuara në lëndët e ndritura deri më 30 qershor të vitit 2017 të asgjësohen në afat prej tre muajsh pas përfundimit të procedurës, ndërsa të gjitha materialet tjera nga përgjimet ilegale të mos mund të ridëgjohen ose përdoren për hetim.
“Të gjitha materialet e mbetura dhe transkriptat e materialeve të përgjuara të cilat nuk janë dhënë si dëshmi në gjykata dhe të cilat nuk janë pjesë e lëndëve që janë në fazë të hetimit (në lëndët e ngritura deri më 30 qershor 2017) nuk mundet përsëri të dëgjohen dhe të përdoren në çfarëdo procedure dhe asgjësohen në afat prej tre muajsh pas përfundimit të procedurës me mjete të jashtëzakonshme juridike të lëndëve, të ngritura deri më 30 qershor 2017, sipas dispozitave për asgjësimin e materialeve nga masat e veçanta hetuese të vërtetuara me ligj”.
Propozim-ligji nuk ka inkorporuar kërkesën e opozitës që kryeprokurori të propozohet nga opozita.
SEDAT SELIMI
