Maqedoni

Fondet IPA, RMV dhe Shqipëria 5 projekte të përbashkëta

10.02.2020 18:53

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në rajonet kufitare këtë vit fillojnë pesë projekte të reja në sferën e ambientit jetësor...

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në rajonet kufitare këtë vit fillojnë pesë projekte të reja në sferën e ambientit jetësor, trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Projektet kapin vlerën e 12 milion euro, mjete këto të siguruara nga BE, ku dy vendet janë lider për shfrytëzim të fondeve europiane. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Nikola Bertolini, potencon se kapacitet gjenerale dhe shkathtësitë janë në dispozicion, por nevojitet inkuadrimi i resursit njerëzor dhe bashkëpunimi mes të gjithë faktorëve për shfrytëzim të fondeve, problem i vetëm mbetet kualiteti i projekteve të realizuara.
 
“Çdoherë kërkojmë që të sigurojnë persona që kanë dëshirë, vullnet dhe shkathtësi që dëshirojnë bashkëpunim me ne, pastaj ne do t’i trajnojmë ata me qëllim që këta persona të mund të realizojnë projekte adekuate. Ka më shumë para sesa ide të mira, ka shumë donatorë, trendi po vazhdon të jetë më pozitiv.”,- tha përfaqësuesi i Komisionit Europian në Shkup, Nikola Bertolini.
 
Brenda 9 projekteve këtë vit, shumica janë përfunduar, ndërsa një pjesë ka ngelur në realizim e sipër. Vëmendje tërheqin më shumë projektet në sferën e turizmit dhe risitë në sferën e prodhimtarisë.
 
“Projektet që Bashkimi Europian do t’i financojë këtë vit nuk janë befasi për komunat dhe nuk mund të thonë se nuk kanë qenë të informuara, edhe nga periudha e kaluar qeveritë lokale janë njoftuar për temat dhe sferat që Bashkimi Europian i financon, ndërsa sa i përket përkrahjes qeveritare, mjetet janë të dedikuara në zhvillimin rajonal.”,- theksoi ministri i pushtetit lokal, Goran Milevski.
 
BE deri tani brenda 7 vitesh ka financuar projekte në vlerë prej 120 milion euro për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet e rajonit.
 
GAZMEND REXHEPI