Botë
Tiranë, Kurti realizoi vizitën e parë si kryeministër
11.02.2020 11:26
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, realizoi vizitën e parë si kryeministër në Tiranë, ku me ceremoni shtetërore u prit nga kryeministri, Edi Rama....

Përveç takimit me Ramën, në agjendën e Kurtit janë edhe takimi me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, takimi me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe me kryetarin e Partisë opozitare Demokratike, Lulzim Basha.
Dy kryeministrat janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit, prandaj paralajmëruan themelimin e një komisioni ndërshtetëror, i përbërë nga ministra e deputetë që të zbatohen marrëveshjet e deritanishme dhe të rritet numri i marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.
“Komunikim të hapur e intensiv se për ku jemi e ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kemi rënë dakord që të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e 2 qeverive që do mbahen në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë , dhe aty u dakordësuam për Shkodrën. Por një vakum me dy mbledhjeve na imponon të bëjmë një mbledhje sa më produktive, do kemi një komision ndërshtetëror për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të ndjekur problematikat dhe arritjet. Kemi diskutuar edhe për procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet në funksion të implemtimit të katër lirive themelore të BE-së”, deklaroi Rama.
“Jam i gëzuar që jam këtu. Në Mitrovicë isha në fillim, e natyrisht i pari shtet duhet të ishte Shqipëria. Dua që në këtë dekada të kemi bashkëpunim të fuqishëm Kosovë -Shqipëri, ato janë prioritet i njëra-tjetrës. U dakorduam për një komision ndërshtetëror, me ministra e deputetë, që ato 77 marrëveshje të zbatohen, por dhe të shtohen. E falenderoj Shqipërinë për ndihmën ndaj Kosovës, në shekullin 21 të ecim bashkë shpejt, fuqishëm. Në aspektin ekonomik, sigurisë, politikë e jashtme, fusha ku do punojmë”, tha Kurti.
