Maqedoni
Reformimi i negociatave, eurodeputetët pro propozimeve të KE-së
11.02.2020 10:52
Deputetët e Parlamentit Europian mbështetën propozimet e reja të Komisionit Europian për reformën e procesit të zgjerimit të BE-së me vende të tjera....

I ngarkuari për zgjerimin e BE-së , Oliver Varhelyi, tha se procesi i negociatave duhet të bëhet më i besueshëm. Propozimi i ri i Komisionit parashikon që 35 kapitujt e anëtarësimit të ndahen në gjashtë grupime tematike. Negociatat do të duhet të fillohen tek të 6 tematikat. Me këtë Komisioni Europian shpreson që të ketë sukses çelja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën në samitin e BE-së në maj në Zagreb.
Procesi aderues për Shkupin dhe Tiranën, Palmer: Presim që deri në mars të nisin negociatat
SHBA-të ndërkohë presin që Bashkimi Evropian të hapë muajin e ardhshëm negociatat aderuese me dy vendet. Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer, për servisin bullgar të Radio Evropës së Lirë, tha se “Ky do të ishte sinjal i rëndësishëm që duhet dërguar në rajon. E patjetërsueshme është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë rrugë të qartë dhe perspektivë të qartë evropiane”,- theksoi Palmer.
Ai shpreh shqetësimin për përfshirjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe tentimet e Moskës për të minuar mbështetjen ndërkombëtare për Marrëveshjen e Prespës, me të cilën është zgjidhur kontesti 27-vjeçar mes Shkupit dhe Athinës dhe hoqi pengesën që Maqedonia e Veriut të inkuadrohet në NATO dhe BE. Sipas Palmerit, qëllimi i Rusisë është që ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor përmes konflikteve dhe futjes së elementeve të kaosit, si dhe krijimin e mosmarrëveshjes mes shteteve në rajon dhe bashkësisë ndërkombëtare.
GAZMEND REXHEPI
