Maqedoni

Shkeli Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët, Mizrahi: Paguaj dënimin, tabela nuk ndërrohet

11.02.2020 13:57

Ministrja teknike për punë dhe politikë sociale, Rashela Mizrahi...

Ministrja teknike për punë dhe politikë sociale, Rashela Mizrahi, nuk e ka problem që tabela para së cilës mban pres konferenca, nuk respekton as emrin e ri kushtetues të vendit e as Ligjin për Gjuhët. Ajo sërish doli para tabelës me emrin e vjetër kushtetues. Tha se nuk e ka parë notën verbale të Greqisë, madje nuk ka frikë se mund të dënohet për këtë mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve. E nëse duhet, është gati të paguajë edhe dënimin prej 5 mijë eurosh, por tabelën nuk e ka ndërmend ta ndryshojë.
 
“Unë nuk jam Milla Carovka. Unë jam Mizrahi. Këtu nuk kam parë ndonjëherë ndonjë tabelë me emrin Maqedonia e Veriut. Kjo është e vetmja tabelë në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe të gjitha pres konferencat do mbahen para saj. Çfarë pasojash, ndaj meje? Në twiter? Epo ja që unë nuk kam twiter. Nga nota verbale? Ju jeni gazetarë, konfirmojeni njëherë çfarë është kjo notë verbale të cilën unë nuk e kam parë asnjëherë.”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Rashela Mizrahi.
 
Mizrahi: Prokuroria të nisë hetimet ndaj Carovskës
 
Para tabelës së vjetër, duke përdorur madje edhe emrin e vjetër kushtetues, Mizrahi akuzoi paraardhësen e saj se ka shkelur rregulloren e punës në Këshillin Ekonomik Social, duke mbajtur mbledhje e duke sjellë vendime pa kuorumin e nevojshëm, në kundërshtim me qëndrimin e përfaqësuesve të sindikatave. 
 
“Ftoj Prokurorinë Publike të hapë lëndë pas zërave  të arritur e të hetojë punën joligjore të kryesueses së atëhershme të Këshillit Ekonomik Social, Milla Carovska, e të veprojë në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Rashela Mizrahi.
 
Qeveria ka shfuqizuar ndërkohë vendimet e  miratuara prej 21 deri më 31 janar nga ministrja Mizrahi, të cilat përfshijnë vendimet për autorizimin dhe vendimet e nënshkrimit, si dhe vendimet për paga dhe shpërndarjen e tyre.
 
GYLTENE SINANI