Maqedoni

Rasti "Zhvatja", raporti mjekësor: Jovanovski ka gastrit kronik

11.02.2020 16:48

Rasti “Zhvatja” u mbajt edhe pse gjykimi filloi me një orë vonesë, pasi i akuzuari, Bojan Jovanovski...

Rasti “Zhvatja” u mbajt edhe pse gjykimi filloi me një orë vonesë, pasi i akuzuari, Bojan Jovanovski, sërish u ankua për dhimbje të mëdha. Gjykatësja, Vaska Nikollovska – Masevska, urdhëroi që ekipi i ndihmës së shpejtë të kontrollojë dhe të konstatojë gjendjen e tij shëndetësore, e pasi u konstatua se është në gjendje të ndjekë seancë, filloi shpalosja e dëshmive materiale të prokurorisë. Raporti nga Klinika për Gastroenerohepatologji tregoi se Jovanovski ka gastit kronik dhe jo sëmundje malinje, siç pretendon i pandehuri.
 
Boki i është lutur, Zaevi nuk ka pranuar takim
 
Mes dëshmive ishte edhe komunikimi mes ish kryeministrit, Zoran Zaev, dhe Jovanovskit, ku ky i fundit lut ish kryeministrin që për hir të miqësisë të takohen dhe të bisedojnë për çështjen në fjalë. 
 
"Në emër të asaj që njihemi dhe në emër të respektit, ju lutem të më pranoni në takim. Asnjëherë nuk e kam keqpërdorur emrin tuaj. Ju lutem të takohemi.",- shkruaj Bojani. 
 
Por Zaev i përgjigjet prerë se dëshmitë që i ka parë tregojnë se bëhet fjalë për "Zhvatje” të pastër. "Boki i pashë provat dhe jam i tmerruar. Unë jam para vendimeve të rëndësishme, më vjen keq por më duhet të veproj. Shihen provat se bëhet fjalë për “Zhvatje” të pastër. Gjithçka është e dokumentuar. Unë jam kryetar i Qeverisë dhe jam i obliguar të mbroj drejtësinë dhe shtetin juridik."
 
Gjatë seancës së sotme u publikuan edhe komunikime mes Bojan Jovanovskit dhe Zoran Milevskit si dhe Jovanovskit me personin Vase. Mbresëlënëse ishte edhe publikimi i disa fotografive në mesin e të cilave edhe fotografia e ish prokurores, Katica Janeva, ku ajo është e ulur në dhomë, ndërsa në tavolinë ka monedha nga 500 euro, për të cilat prokuroria supozon se në përgjithësi mund të jenë rreth 50 mijë euro. Ndërsa nga një video e shkurtër në këto rrethana dëgjohet teksa thotë "Si të vendosin, ashtu do të planifikojmë".
 
FLORIJE BELULI KAMBERI