Maqedoni
Virusi Korona, mbi 1000 numri i të vdekurve, 3 200 të shëruar. 135 të infektuar në anijen japoneze, Filipçe: 3 shtetasit nga RMV janë shëndosh e mirë. Vazhdojnë kërkesat për punë në anije, kompanitë shtojnë kontrollet për aplikantët
11.02.2020 17:19
Numri i personave të vdekur nga virusi Korona ka arritur në mbi 1 000...

Numri i personave të vdekur nga virusi Korona ka arritur në mbi 1 000, më shumë se 42 000 persona janë infektuar.
Megjithatë, po rritet edhe numri i personave të shëruar dhe rreth 3 200 pacientë janë liruar tashmë nga spitali. Problematike mbetet përhapja e virusit në zonat rurale.
“Në zonat rurale po hasim në vështirësi, sepse kushtet higjienike nëpër vendbanime nuk janë adekuate dhe banorët e këtyre zonave nuk janë të vetëdijshëm për masat preventive se si të mbrohen.”,- tha zëvendësdrejtori i Departamentit për Zhvillim Rural, Mao Dezhi.
Me interes për opinionin në vendin tonë mbetet fati i të infektuarve në kroçierën japoneze, ku aktualisht ka 135 të infektuar.
Tre shtetasit nga RMV që janë në karantinë në portin e Jokohamës, janë mirë me shëndet, por u lejohet vetëm kontakti me familjet e jo me mediat.
“Edhe pse po rritet numri i të infektuarve në anije në Jokohama, shtetasit tanë nuk janë mes të infektuarve, në bazë ditore komunikohet me institucionin ndërkombëtar.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Edhe përkundër virusit, numri i atyre që dëshirojnë të punojnë nëpër anijet jashtë vendit nuk ka pësuar rënie. Kompanitë kanë shtuar kontrollet për aplikantët.
“Nëse kemi kandidatë të rinj, që për herë të parë aplikojnë, duhet që të nënshkruajnë 15 ditë para udhëtimit një dokument që nuk kanë udhëtuar në një ndër vendet e prekura ose nuk kanë pasur temperaturë të shtuar apo kollitje gjatë periudhës së fundit.”,- tha përfaqësuesja e Kompanisë për Punë në Anije, Jelena Markoviq.
Çdo shtetas kinez apo që udhëton nga Kina drejt RMV-së, do të vendoset në karantinë. Periudha e inkubacionit zgjat dy javë. Jashtë Kinës janë raportuar 319 raste me virusin Korona në 24 vende.
Autoritetet në Hong Kong evakuuan banorët nga një ndërtesë, ku kishte dy të infektuar dhe po hulumtohet mundësia e transmetimit të virusit përmes ajrit.
“Kur virusi shfaqet, prek të gjithë ndërtesën. Ky është problem i madh dhe të gjithë janë shumë të shqetësuar.”,- theksoi një qytetar.
“Shpresoj se qeveria do të sigurojë maska kirurgjikale për të moshuarit, sepse shumica nuk ka.”,- tha një qytetar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos lejojë që epidemia të dalë jashtë kontrollit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
