Maqedoni
Financimi i RTVM-së nga buxheti, ASHMAA-RTM: Buxheti nuk mjafton, respektoni ligjin! Qeveria: përmbajuni kornizave buxhetore!
11.02.2020 17:37
Ka kaluar një kohë e gjatë që RTVM ka probleme me ndarjen e mjeteve të parashikuara nga Qeveria...

Servisi Publik nuk i merr paratë e nevojshme buxhetore të parashikuara, që këtë vit duhej të arrinin 0.9 për qind. Aktualisht merr vetëm rreth 0,5 për qind.
“Prej 0,5% duhej të mbërrinim deri më 0, 9%, ndërsa për momentin jemi nën 0.5%. A e keni ndërmend të respektoni ligjin dhe kush u jep të drejtë të mos e respektoni të njëjtin.”,- theksoi drejtori i AShMAA-së, Zoran Trajçevski.
“Çka planifikohet për në të ardhmen, a mundet ndoshta të kompensohen mjetet të cilat kanë munguar në vitet e kaluara, sepse kemi pasur shumë premtime, qoftë formale apo jo formale.”,- tha drejtori për funksione të përbashkëta, Goran Atanasov.
Nga qeveria thonë se mjetet e ndara janë të mjaftueshme.
“Për këtë vit janë ndarë 1 miliard e 200 milion denarë, ose rreth 19-20 milionë euro, të cilat në përqindje konform ligjin po shpërndahen për RTVM-në, Radiodifuzionin dhe Agjencinë e Mediave . Kjo është ajo që ka kaluar në Kuvend, ky është buxheti dhe mjetet e parashikuara për këtë vit dhe në kuadër të këtyre kornizave duhet t’i realizojë funksionet e tij.”,- u shpreh zëvendësministri i shoqërisë informatike, Aleksandar Bajevski.
Drejtuesit e RTVM-së thonë se ekzekutivi po mban peng RTVM-në përmes zgjidhjeve ligjore.
“Shteti përmes zgjidhjeve aktuale ligjore е mban peng RTVM-në duke mos zbatuar ligjet aktuale dhe duke mos lejuar të ketë asnjë zhvillim. Është koha e duhur që të miratohet një ligj i veçantë “leks specialis”. Nuk është logjike që të presim leje me muaj të tëra nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për çdo emërim apo risistemim brenda redaksive ose për të punësuar persona tjerë.”,- u shpreh drejtori ekzekutiv i RTVM-së, Marijan Cvetkovski.
“Është dërguar projekti deri te Qeveria se si duhet të zbatohet ligji lidhur me programin për kanalin 24-orësh në gjuhën shqipe. Ja këtu para meje është i gjithë projekti i cili përfshin planin për financa dhe punësime. Në 2017 i njëjti kaloi si ankesë në Kuvend, ndërsa deri tani asgjë nuk ka.”,- tha zëvendës-drejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.
Nga misioni i BE-së janë të interesuar të ndihmojnë në këtë drejtim.
“Resurset financiare janë problem kryesor i serviseve publike dhe mendoj se shkojmë në thelb të problemeve: jemi të interesuar të punojmë në këtë drejtim.”,- u shpreh shefi i Departamentit për Bashkëpunim me BE-në, Nikolla Bertolini.
Sipas të dhënave të EBU-së, niveli më i ulët i mjeteve të financimit që vendet europiane i ndajnë për serviset e tyre publike kap vlerën e së paku prej 12 eurove për kokë banori, sipas kësaj llogaritjeje, për RTVM-në duhet të sigurohen 25 milion euro në vit. Aktualisht RTM ka 763 të punësuar dhe për shkak të moslejimit të punësimeve të reja, ky numër në vazhdimësi zvogëlohet.
REXHEP QAMILI
