Maqedoni

Kuvendi ratifikoi protokollin e NATO-s, Mesterhazi: Siguria e RMV-së, e garantuar. Pendarovski: Kompromiset me fqinjët, kyçe drejt NATO-s. Spasovski: I japim fund pasigurisë dhe jostabilitetit. Xhaferi: Përfitimi i anëtarësimit, i dyfishtë

11.02.2020 18:00

Kuvendi ratifikoi protokollin për anëtarësim në NATO...

114 deputetë të pranishëm, që të gjithë votuan pro dokumentit. Ushtruesi i detyrës së kryetarit në asamblenë parlamentare të NATO-s, Atila Mesterhazi, përgëzoi vendin e tha se siguria e Maqedonisë së Veriut tanimë është e garantuar, gjithashtu edhe mirëqenia e qytetarëve.
 
“Si anëtare e plotfuqishme e NATO-s, mbrojtja juaj do të jetë mbrojtja jonë, sigurimi juaj do të jetë sigurim i jonë. Keni 29 miq aleatë që do të rrinë pranë jush dhe do tua ruajnë shpinën çfarëdo që të ndodhë. Aleanca në të cilën ju bashkoheni është unikate, nuk është vetëm organizatë politike dhe ushtarake, por është edhe aleancë e demokracisë, sigurisë dhe mirëqenies të qytetarëve tuaj. Aderimi do të dërgojë mesazh të rëndësishëm në gjithë këtë rajon.”,- deklaroi ushtruesi detyre i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Atila Mesterhazi.
 
Presidenti, Stevo Pendarovski, tha se tani rrumbullakohet shtetformësia maqedonase dhe vendoset vulë mbi integritetin dhe sovranitetin territorial të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, anëtarësimi në NATO nuk do të bëhej i mundur pa kompromiset me Greqinë dhe Bullgarinë. 
 
“Kompromiset që bëmë, nuk ishin të thjeshta e as të lehta, por fakt është se marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me emrin me Greqinë fqinje dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë janë vendimet kyçe që na sollën drejt qëllimit.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ftoi gjitha forcat politike sikurse tani të jenë të bashkuar edhe drejt BE-së. 
 
“Kohët e pasigurisë dhe jostabilitetit janë pas neve. Maqedonia e Veriut është në rrugë të qartë dhe të pastër bashkë me aleatët më të fuqishëm botërorë. Shkojmë në atë rrugë që na siguron standard më të lartë, kufij më të sigurt. Nga ky qëllim i madh nuk ka heqje dorë. Realizuam një nga qëllimet strategjike rreth të cilit jemi të bashkuar. Le të jetë kështu edhe gjatë anëtarësimi në BE.”,- deklaroi kryeministri, Oliver Spasovski.
 
Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se momentet turbulente u kurorëzuan me përfitim të dyfishtë si për vendin por edhe Aleancën.
 
“Shembull evident për këtë punë të lodhshme dydekadëshe janë planet vjetore nacionale dhe misionet paqësore të NATO-s, anë e mbanë botës krahpërkrah me armatat lartë të trajnuara dhe me teknologji më të zhvilluara të aleancës për çka sot ushtarët tanë marrin vlerësimet më të larta për luftimin, gatishmërinë dhe disiplinën e demonstruar.”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Në një ceremoni solemne, flamuri i NATO-s u vendos edhe para godinës së kuvendit, ndërkaq tani pret ratifikimin edhe në parlamentin spanjoll dhe deponimin në Uashington.
 
Atëherë Maqedonia e Veriut  edhe zyrtarisht bëhet anëtarja e tridhjetë e Aleancës. Në ratifikimin e protokollit morën pjesë edhe përfaqësues të parlamenteve të vendeve fqinje.
 
MERAL ISMAILI