Maqedoni
SHGM, kërkon drejtësi në Gjykatën Evropiane
03.10.2014 17:27
Të pakënaqur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vendit, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë drejtësi do të kërkojë pranë Gjykatës Evropiane...

Të pakënaqur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vendit, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë drejtësi do të kërkojë pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg lidhur me incidentit e ndodhur më 24 dhjetorë në kuvend. Kreu i SHGM-së, Naser Selmani, thotë se fillimisht i janë drejtuar institucioneve vendore, megjithatë të njëjtat nuk kanë demonstruar kapacitet të mjaftueshëm demokratik për ta zgjidhur këtë çështje.
“Ne besojmë se Gjykata Evropiane do të konstatojë shkeljen e të drejtës për shprehjen e lirë, sepse është e qartë se gazetarët atë ditë ishin të penguar në kryerjen e detyrës së tyre profesionale dhe opinionit publik i ishte shkurtuar e drejta për të qenë të informuar rreth incidentit në kuvend. Presim që Gjykata Evropiane të pranojë aplikimin tonë, sepse ndërhyrja e sigurimit të kuvendit kundër gazetarëve ishte joligjore dhe se nuk ishte i domosdoshëm një kufizim aq i madh i shprehjes së lirë”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Incidenti ka ndodhur më 24 dhjetor në vitin 2012, gjatë seancës për miratimin e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm. Gazetarët u larguan nga Galeria e Kuvendit, ndërsa SHGM-ja për rastin u ankua në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit doli me përgjigje se gazetarët ishin larguar nga galeria për t’i ruajtur ata.
NAIM RAMADANI
