Maqedoni

KÇE nis diskutimin e pr/ligjit për PP-në, VMRO kërkoi tërheqjen e pr/ligjit. Deskoska: Ligj europian, jepni kontribut. Zaev: Kreu i VMRO-së bën presion mbi deputetët

11.02.2020 18:19

Komisioni për Çështje Evropiane filloi diskutimin për pr/Ligjin për Prokurori Publike dhe atë për Këshill të Prokurorëve...

Komisioni për Çështje Evropiane filloi diskutimin për pr/Ligjin për Prokurori Publike dhe atë për Këshill të Prokurorëve, i cili mund të zgjasë vetëm dy ditë për shkak se pr/ligjet janë propozuar për miratim me procedurë të shkurtuar.
 
Deputetët e VMRO DPMNE-së, sërish kërkuan tërheqjen e pr/ligjit pasi konsiderojnë se ai nuk përmban vërejtjet e ekspertëve dhe Qeveria ka shkelur procedurat gjatë dorëzimit në Kuvend.      
 
“Tekstet e këtilla ligjore dhe gabimet e tilla në procedurë  janë në kundërshtim me Rregulloren për punë të Qeverisë, janë në kundërshtim edhe me Rregulloren e punës së Kuvendit, por Kuvendi ka të drejtë të thotë se ne nuk jemi organ hetues. Por, askush nuk guxon që, vendimin e Qeverisë për propozim ligj qeveritar të konfirmuar, ta ndryshoj gjatë udhëtimit nga Qeveria deri në Kuvend me as edhe një fjalë dhe jo më me katër apo pesë nene.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, sqaroi gabimin me tekstin e propozim ligjit të tërhequr dhe kërkoi nga opozita që të përfshihen në debat për propozim ligjet që janë në tryezë.
 
Sipas saj, korrigjimet janë harmonizuar në bashkëpunim me delegacionin e BE-së në Shkup.
 
“Do të ishte mirë që të përfshiheni në debat thelbësor me propozime konkrete dhe jo të kërkoni mënyra se si të zvarritni debatin pa asnjë argument, vetëm me përsëritjen e asaj që e dëgjuam gjatë gjithë vitit në bisedimet e ndërsjella.”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Kreu i LSDM-së akuzoi udhëheqësinë e VMRO DPMNE-së se po bën presion mbi deputetët e saj që të mos i përkrahin pr/ligjet.
 
“Udhëheqësia e VMRO DPMNE-së, një pjesë e tyre edhe deputetë, kryesisht të dyshuar dhe të akuzuar bëjnë presion mbi deputetët.”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në parim, projekt ligji për PP ka përkrahjen e të gjithë deputetëve përveç deputetëve të VMRO DPMNE-së.
 
Mirëpo edhe këta të fundit, edhe pse nuk e përkrahin këtë pr/ligj nuk e kanë bllokuar me amendamente siç bën me projekt/ligjin,  i cili ka mbetur pezull në Kuvend.
 
Për propozimin/ligjin e ri është parashtruar vetëm një amendament.     
 
SHPËTIM NUREDINI