Maqedoni
Partitë politike: Ratifikimi, moment historik për vendin
11.02.2020 18:40
Ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e RMV-së në NATO përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvend...

Ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e RMV-së në NATO përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvend e vlerësuan të një rëndësie historike për vendin dhe se po realizon qëllimin strategjik.
“Jam krenar se 20 vite asnjëherë nuk e kam humbur besimin, asnjëherë nuk e kam humbur durimin por kam besuar tek miqtë e mëdhenj, kam besuar te miqtë e mëdhenj, kam besuar te aleatët dhe te shtetet të cilat e kanë drejtuar këtë aleancë kaq të fortë dhe të fuqishme dhe paqvënëse në të gjithë rruzullin”,- tha Ali Ahmeti nga BDI.
“Sot po shkruajmë histori, sot jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës të një momenti historik në shtetin tonë, moment që definon ardhmërinë tonë, moment që përcakton rrugën e stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit.”,- tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
“Ky akt nuk është vetëm akt i marketingut, por ky është akt që parandalon përfundimisht që shteti jonë jo si shtetet tjera në Ballkan ta paguajnë transicionin me përgjakje me masakra dhe konflikte të jashtëzakonshme.”,- theksoi Menduh Thaçi nga PDSh.
“Sot të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se kjo rrugë ka qenë e mundimshme sfiduese dhe ne është dashur që të shfaqur gatishmëri dhe guxim të paepur për të marrë vendime të mëdha dhe ja ku jemi sot për ta kaluar edhe pragun e fundit për tu bërë shteti I 30 anëtarë i NATO-s.”,- theksoi Afrim Gashi nga “Alternativa”.
“Si në vitin 2008 ashtu edhe sot, RM meriton të jetë anëtare e aleancës veri-atlantike. Ky përcaktim i VMRO-DPMNE-së është pjesë edhe e statutit të partisë ku në nenin 8-të në qëllime dhe detyra thuhet se partia do të angazhohet për bashkëngjitjen e RM-së në BE dhe NATO.”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
“Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë ajo ka qenë me plot sfida vështirësi dhe pengesa nga politikan të papërgjegjshëm dhe populist për qëllimet e tyre dhe klanore por ja që sot po shënojmë hapin përfundimtar drejt bërjes së RMV-së vend anëtar i 30 i NATO-s.”,- theksoi Syrija Rushiti nga ASh.
“Procesi i integrimit të vendit në NATO ka qenë misioni i të gjitha forcave politike relevante dhe sfidat dhe pengesat në këtë rrugëtim kanë qenë të shumta. Aleanca garanton dhe mbetet komunitet i pashembullt i lirisë paqes, sigurisë dhe vlerave të përbashkëta.”,- deklaroi Fadil Zendeli nga BESA.
Me ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të RMV-së, ratifikimi i Marrëveshjes do të deponohet në Uashington.
NAIM RAMADANI
