Botë

Kurti në vizitë zyrtare në Tiranë, diskutohet rreth përforcimit të bashkëpunimit

11.02.2020 19:44

Kryeministri i Kosovës u prit me ceremonitë më të larta zyrtare në vizitën e parë në Tiranë...

Kryeministri i Kosovës u prit me ceremonitë më të larta zyrtare në vizitën e parë në Tiranë, por vizita e Kurtit nuk kaloi me pajtimet e zakonshme protokollare të vizitave të tilla. Mini-Shengeni ballkanik ishte përplasja e parë mes dy kryeministrave.
 
“Takimi i parë i ynë sot ishte le të themi për Makro-Shengenin shqiptar më shumë se sa për Mini-Shengenin ballkanik.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
“Unë besoj se s’ka Makro-Shengen shqiptar pa Mini-Shengen ballkanik.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Por, megjithatë, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare, të dy kryeministrat janë në të njëjtën vijë. Bashkëpunimi duhet intensifikuar. U ra dakord që mbledhja e ardhshme e dy qeverive të mbahet në Shkodër.
 
“Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar e duke e zgjeruar atë. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
“Albini e quan fillim i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme sepse kemi shumë marrëveshje, një pjesë kanë ecur mirë, një pjesë e tyre nuk kanë ecur mirë… Bashkëpunimi me Kosovën prioritet i prioriteteve për mua, por s’realizuam lëvizjen e plotë të njerëzve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të qartë në çdo hap, për të hequr kufirin mes dy shteteve.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Për bashkëpunim u diskutua edhe në takimin me presidentin Meta.
 
“Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal.”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Në takimin me kryetarin e PD-së, Basha, konfirmoi mbështetjen për Kosovën, duke mos lënë pa atakuar ekzekutivin. 
 
“Ne do të bëjmë gjithçka në tregtinë e lirë, në integrimin e lirë të Shqipërisë e të Kosovës. Për t’iu dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë, e në veçanti rinisë. Për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Kurti ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
 
LULJETA NDOKA