Maqedoni
MASH: Provime shtetërore në universitete
03.10.2014 17:31
Ministria e Arsim dhe Shkencës, shqyrton mundësinë për vënien e kontrollit të cilësisë edhe në arsimin sipëror...

Sipas ministrit, Abdylaqim Ademi, kontrolli parashihet të aplikohet në formë të provimit shtetëror dhe atë pas vitit të dytë të studimeve dhe para temës së diplomës.
“Ministria është duke shqyrtuar edhe mundësinë për aplikimin e provimit shtetëror për të gjithë studentët në Republikën e Maqedonisë dhe të dy provimeve shtetërore, kur përfundojnë vitin e dytë dhe në vazhdimin e vitin të tretë do t’i nënshtrohen të gjithë studentët në fakultetet private dhe publike dhe në vitin e katërt para se të caktohet tema e diplomës. Kjo për të instaluar edhe një mekanizëm të matjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe për të instaluar edhe mekanizmin e pajisjes me diplomë vetëm ata që e meritojnë”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Veç kontrollit në arsimin sipëror, do të eliminohen edhe gabimet në tekstet shkollore në ciklet më të ulëta të arsimit.
Pas skandalit me flamurin e Republikës së Kosovës, të emërtuar si flamuri i Greqisë, Ademi paralajmëroi edhe ndryshime ligjore për të evituar gabimet e këtilla, të cilat, sipas tij, nuk janë thjesht gabime teknike.
“Ne jemi duke punuar edhe në ndryshimin dhe plotësimit e Ligjit për Tekstet Shkollore, me qëllim që të krijojmë mundësinë për përmirësimin e teksteve shkollore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me specifikat e popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, që kapin historinë, gjuhën, kulturën, traditën e tyre këtu në Maqedoni”- tha Ademi.
Ministri Ademi, gjithashtu njoftoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me universitet, për dhjetë ditë radhazi do të promovojë para bashkësisë së biznesit 13 nga 24 laboratorë të instaluar nëpër fakultete. Laboratorët e shkencave aplikative mund të shfrytëzohen nga të gjitha universitet, por edhe nga biznesi.
Për shfrytëzimin e tyre, fakultetet përkatëse do të hartojnë çmimore, e cila do të jetë transparente.
SHPËTIM NUREDINI
