Maqedoni
Zgjedhjet parlamentare, Micevski: Kërkojmë shpërbërjen e Kuvendit. Grubi: Prolongohet shpërbërja, jo data e zgjedhjeve
12.02.2020 15:13
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka kërkuar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi...

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka kërkuar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, që të konvokojë seancë plenare për ta shpërbërë kuvendin.
Në të kundërtën, sipas tyre, opinioni do ta ketë të qartë se shumica parlamentare po manipulon qytetarët dhe po shmang marrëveshjen midis forcave politike.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së më 5 shkurt ka dorëzuar kërkesë për shpërbërjen e kuvendit të Maqedonisë dhe kërkojmë që e njëjta sot të vendoset për miratim para deputetëve. Kërkesën e dorëzuam pas përpjekjeve të LSDM-së që të ikë nga zgjedhjet e dakorduara edhe pse janë përgatitur të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë përmbushur.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Por, nga BDI sqaruan se zgjedhjet do të mbahen më 12 prill, ndërsa vetëm shpërbërja prolongohet deri më 16 shkurt duke u bazuar në shpjegimet e KShZ-së.
“Ky parlament, kjo përbërje parlamentare do të shpërbëhet më 16 shkurt të këtij viti më së voni, dhe kjo është në përputhje me afatet të cilat i ka paracaktuar KShZ në letrën e tyre, prandaj i gjithë ky panik, i gjithë ky alarmim është i pavend për arsye se kjo përbërje do të shpërbëhet deri më datën 16 shkurt dhe zgjedhjet do të mbahen më 12 shkurt të këtij viti.”,- tha Artan Grubi nga BDI.
Ditë më parë, kreu i Kuvendit njoftoi se ka kërkuar nga KShZ afatet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të 12 prillit.
Duke u bazuar në sqarimin e KShZ-së, Xhaferi tha se kuvendin do ta shpërbëjë më 16 shkurt me qëllim që zgjedhjet të mbahen më 12 prill.
NAIM RAMADANI
