Maqedoni

Marrëveshja për në NATO, presidenti Pendarovski firmosi dekretin. Shekerinska: Jemi të barabartë, asnjë vendim nuk merret pa ne. Shekerinska: A ka trim që del kundër vullnetit të shumicës?

12.02.2020 15:57

“Për këtë pritëm pothuajse 30 vjet, po ia vlejti. Me fat!”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski...

Me këto fjalë iu drejtua qytetarëve presidenti, Stevo Pendarovski, pasi vuri firmën dhe dekretoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së NATO-s, që i mundëson  RMV-së të bëhet edhe zyrtarisht anëtarja e 30 e Aleancës më të fortë ushtarake.
 
Dekretimin e bëri i rrethuar nga studentë të fakultetit juridik, duke dhënë kështu mesazhin se ardhmëria e rinisë është e sigurt, në një shtet që respekton ligjet. 
 
Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, falënderoi qytetarët që me votat e dhëna për  ndryshimin e emrit kushtetues, mundësuan anëtarësim në NATO.
 
Tashmë do të ulemi në të njëjtën tryezë forcat më të mëdha botërore dhe do të kemi mundësi t’i mbrojmë qëndrimet dhe idetë tona, sqaroi ajo.
 
“Deri dje në këto takime është biseduar pa prezencën tonë, sot nuk mund të merret vendim pa ne. Deri tani asnjë ide, që nga pavarësia, nuk ka arritur, të marrë kaq konsensus të gjerë dhe për ta arritur këtë kemi folur në gjuhën e të gjithë qytetarëve, edhe në gjuhën e të rinjve, edhe në gjuhën e më të moshuarve, edhe të maqedonasve edhe të shqiptarëve. Prandaj prej tani jemi pjesë e ombrellës që siguron plot 1 miliardë njerëz.”,- deklaroi ministri i mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Shekerinska kritikoi të gjithë ato zëra që pohojnë se RMV do ta shqyrtojë Marrëveshjen historike të Prespës, e nga ana tjetër mbështesin anëtarësimin në NATO.
 
“U bindëm se për ratifikimin e marrëveshjes votuan të gjithë, duke përfshirë edhe kolegët e VMRO-DPMNE-së. Prandaj po pyes se me çfarë fytyre dikush, sot apo nesër, do të fillojë të flasë për zhdukje të Marrëveshjes së Prespës dhe largim të vendit tonë nga NATO. Apo kjo do të jetë vetëm edhe një gënjeshtër e re para qytetarëve.  Dua të shoh se cili do të jetë ai trim që do të ketë guximin ta fshijë këtë sukses historik të vendit.”,- tha ministri i mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Shekerinska pret që Kuvendi spanjoll të ratifikojë marrëveshjen në fillim të muajit mars.   
 
FITIM KRYEZIU