Maqedoni

Pr/ligji për Prokurorinë, Selmani: Ligji në funksion të faljes së krimit. Nuhiu: Mund të miratohet, pa ofruar zgjidhje

12.02.2020 16:34

Propozim ligji për Prokurori Publike vazhdon të ndeshet me bindjet e ekspertëve...

Propozim ligji për Prokurori Publike vazhdon të ndeshet me bindjet e ekspertëve, me arsyetimin se i njëjti fal krimin dhe nuk ofron zgjidhje të shëndoshë.
 
Në emisionin “Argument” në TVM2, eksperti juridik, Bashkim Selmani, thotë se është mirë që ligji të mos miratohet, pasi që cenon integritetin e gjyqësorit, duke pamundësuar hapjen e lëndëve të reja të bazuara në përgjime.
 
Sipas Selmanit, ligji miratohet për amnisti interne të politikanët dhe jo për hir të sundimit të së drejtës dhe shtetit ligjor. Kontestues paraqitet neni 110 alineja 1, ku prokuroria pamundësohet të hap lëndë të reja duke u mbështetur në “bombat” e përgjimeve. 
 
“Ky ligj i imponon gjykatës se si të veprojë me provat materiale dhe me argumentet, dhe kjo është ndërhyrje politike. Ky ligj është për ta kundërshtuar, sepse pushteti i tretë në këtë rast, pushteti gjyqësor, është i pavarur dhe gjyqësia gjykon në bazë të provave, qofshin verbale, materiale dhe argumente të ndryshme që janë në kundërshtim me parimet ligjore dhe duhet të ketë përgjegjësi. Këtu me të drejtë partitë politike shqiptare reaguan për arsye se nuk përmban në aspektin ligjor, e cila në kontinuitet do të riprodhojë akoma më shumë paqartësi dhe në këtë rast keqbërësit do të jenë shumë komod.”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Politikologu, Qani Nuhiu, thotë se LSDM është e vendosur që ta çojë deri në fund miratimin e ligjit, megjithatë kjo mund të shpie në polarizimin e shoqërisë pa ofruar zgjidhje gjithëpërfshirëse.
 
Nuhiu druan se ligji do të bëhet pjesë e fushatës, andaj sugjeron që fjalën e fundit në përpilimin e ligjit ta thonë ekspertët.
 
“Ka mundësi të sillet ligji, por i cili mund të rihapet përsëri, në ndonjë përbërje të ardhshme parlamentare. Atëherë çfarë kemi bërë? Nuk e kemi mbyllur problemin, përsëri rrotullohemi vazhdimisht tek të njëjtat probleme: zgjidhje afatgjate, zgjidhje të shëndosha, zgjidhje gjithëpërfshirëse nuk ofrojmë, e gjitha kjo nga ndikimet politike të konjukturave të caktuara nëpër partitë që janë më ndikuese.”,- u shpreh profesori universitar, Qani Nuhiu.
 
Versioni i fundit i propozim ligji për Prokurori Publike tanimë është në procedurë parlamentare kundrejt kërkesave të VMRO-së për tërheqje të projekt ligjit pasi në të nuk është përfshirë opinioni i  ekspertëve.
 
MERAL ISMAILI