Maqedoni
Rasti "Dhuna në Qendër", Llazarov: Më udhëzuan funksionarët e VMRO-së
12.02.2020 16:49
Tomislav Llazarov, që e ka pranuar fajin dhe është dënuar me kusht në rastin “Dhuna në Qendër” në vitin 2013...

Tomislav Llazarov, që e ka pranuar fajin dhe është dënuar me kusht në rastin “Dhuna në Qendër” në vitin 2013, dëshmoi se udhëzimet për protesta i ka marrë nga ish ministri, Mile Janakievski, dhe ish sekretarin gjeneral të Qeverisë, Kiril Bozhinovski, i cili nuk është i përfshirë në këtë akuzë.
Ai tha se Bozhinovski e ka udhëzuar për sa më shumë masovitet në protesta, në mënyrë që me çdo kusht të hiqeshin pikat e rendit të ditës në Këshillin e Komunës Qendër. Është udhëzuar se si t’i tregojë anëtarësisë që LSDM dëshiron të ndërpresë ndërtimin e kishës "Shën Konstantinin dhe Elena”. Por, sqaroi se përdorimi i dhunës nuk është përmendur.
"Anëtarë partiakë më informuan se do të formohet Shoqata "Veritas", e cila do të organizojë protesta për mosrrënimin e kishës. Më kërkoi Kiril Bozhinovski në mbledhjen e Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në territorin e Shkupit. U dhanë udhëzime që të informohet anëtarësia që atë ditë do të ketë protesta para përmendores së Nënë Terezës pranë kishës. Nuk u përmend dhuna",- tha Llazarov.
Edhe pse në akuzë qëndron se edhe Daniella Rangellova ka marrë udhëzime për zhvillimin e protestave, Llazarov tha se askush nga grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së nuk ka pasur kontakt me asnjërin nga funksionarët partiakë dhe se të gjitha udhëzimet i ka marrë drejtpërdrejt ai.
"Kirili më dha udhëzim që të marr e të lexoj librin"Zoki Poki", që të fitojë kohë gjatë seancës, ashtu siç vepronte Talat Xhaferi. Bëni çfarë të bëni pikat e rendit të ditës të mos miratohen, kërkoi ai. Daniella Rangellova gjithë kohës ankohej për tentimet e mia për të zgjatur seancën, në bazë të udhëzimeve që i merrja nga partia. Ishim ulur pranë njëri-tjetrit dhe pashë se ajo kontaktonte vetëm me persona të familjes.",- theksoi më pas Llazarov.
Për rastin "Dhuna në Qendër" të akuzuar janë ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ish ministri i transportit, Mile Janakievski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, si dhe disa këshilltarë të VMRO-DPMNE-së.
FLORIJE BELULI KAMBERI
