Maqedoni
Milloshovski lëshoi “bombën” në Kuvend: Zaev interesohej për Boki 13 dhe financat e 1 TV
12.02.2020 17:04
Me afrimin e zgjedhjeve, ashpërsohen edhe akuzat e VMRO-DPMNE-së drejtuar oponentit politik....

Opozita shfrytëzoi këtë radhë Komisionin për Çështje Europiane për të lëshuar “bombën” e radhës. Në një audio incizim të lëshuar nga Antonio Milloshovski, deputeti opozitar thotë se kjo është dëshmi se si Zoran Zaev është interesuar për Boki 13, të akuzuarin e parë në rastin “Zhvatja” dhe televizionin 1 TV. Milloshoski tha se incizimin e ka siguruar nga një informator i cili në letrën shoqëruese shkruan se është i dëshpëruar nga puna e prokurorisë. Pasi që zëri në audio xhirim nuk ishte i cilësisë së lartë, Milloshovski me shume dëshirë lexoi transkriptën e bisedës.
“I duhen para për televizionin dhe bën kombinime. E pyeta prej ku paratë për televizionin. Ai më tha nga Kroacia, por kryesisht nga Cile, Siljan Micevski, nga projekti për shtëpi të pleqve”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Deskoska: Milloshovski t’i drejtohet institucioneve
Ministrja Deskovska përkujton se Komisioni për Çështje Evropiane nuk është vend ku duhet të lëshohen këto biseda dhe transkripta.
“Ekzistojnë institucione, kështu që nëse Miloshoski beson veten në atë që lëshoi, le ta dorëzojë lirshëm pranë institucioneve. Siç vjen koha për votimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, aq më shumë shihet frika e opozitës, me të cilën kemi negociuar për një vit të tërë dhe nuk kemi arritur një marrëveshje.”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
I njëjtë ishte reagimi edhe i LSDM-së që përkujton opozitën se institucionet funksionojnë. I pyetur se si e komenton audio përgjimin që publikoi Milloshovski, kryeministri teknik, Oliver Spasovski, tha se ky rast duhet të hetohet deri në fund dhe gjithsecili që ka vepruar kundër ligjit duhet të përgjigjet para institucioneve.
SANIJE DURAKU
