Maqedoni
Kurbani dhe Haxhi karakteristikë e “Kurban Bajramit”
03.10.2014 17:33
“Kurban Bajrami” është festë fetare islame, karakteristikë e të cilit është prerja e kurbanit nga myslimanët, të cilët kanë mundësi financiare...

Ata flijojnë kafshë në emër të Zotit dhe një pjesë nga mishi i tyre ua dhurojnë të varfërve.
Festa ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim. Kjo sakrificë është prerje e një kafshe, lope, dele, qengj ose cjap si kurban. Sipas rregullave, kjo kafshë duhet të jetë së paku një vit e vjetër dhe të mos jetë me mangësi fizike.
“Vet kurbani do të thotë një kafshë, sakrificë e zgjedhur që bëhet vetëm e vetëm për t’iu afruar Zotit.... Andaj, ata të cilët janë përcaktuar të therin ndonjë kurban për këtë festë duhet që kafsha të jetë e shëndoshë. Në qoftë se i mungon ndonjë pjesë e trupit, ndonjë sy apo vesh ose është lënduar tej mase, atëherë kafsha nuk i plotëson kushtet që të theret kurban”- deklaroi Abaz Islami, drejtues i Departamentit të Informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun në kuadër të BFI-së.
Therja e kurbaneve bëhet në mëngjesin e nesërm kur në Mekë pelegrinët nisen për të bërë rrotullimin tradicional rreth Qabes. Dhe më pas, haxhinjtë, me zemra të pastruara nga mëkatet, nisen drejt shteteve dhe qyteteve të tyre për të filluar një jetë të re pranë familjeve të veta.
“Ajo ç’farë vjen nga kjo festë është realizimi i shtyllës së pestë të islamit, të Haxhit, ku sot me mijëra myslimanë janë duke e kryer këtë obligim fetar që është një porosi e veçantë fillimisht për ne si shoqëri dhe pastaj për popujt tjerë, për vet faktin se ka të bëjë me një adhurim që kryhet në mënyrë të unifikuar”- tha Islami.
Festa e “Kurban Bajramit” është festa e pastrimit të zemrës. Kjo festë e madhe na rikujton se festa dhe gëzimi i vërtetë arrihet vetëm në kohën kur njeriu ka zbatuar urdhrat e Zotit dhe është afruar një hap më pranë tij. Zoti ka kërkuar që nga mishi i kurbaneve të ushqejmë të varfrit dhe nevojtarët.
BELINDA KOKA-ADEMI
