Maqedoni
Problemet me pasaportat dhe formularët, Çulev akuzon Spasovskin, kërkon hetime nga PNKOK. Spasovski: Çulev të ulet e të zgjidhë problemin
12.02.2020 17:19
Ministri i brendshëm teknik, Naqe Çulev, ia hedh fajin paraardhësit të tij për mungesën e pasaportave...

Çulev thotë se problemi nuk do të zgjidhet deri në fund të marsit, e për këtë, sipas tij, fajin e ka Spasovski që në mënyrë të jashtëligjshme realizoi tenderin për furnizim me dokumente të udhëtimit dhe nënshkroi marrëveshjen në shumën mbi 12,8 milion euro me Kompaninë gjermane “Veridos”.
Çulev ka dorëzuar në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar faktet që, sipas tij, tregojnë ekzistimin e indikacioneve se nga personat përgjegjës në MPB është keqpërdorur detyra zyrtare.
“Nëse kjo vërtetohet, ne do të iniciojmë procedura disiplinore kundër të punësuarve në MPB. Do të pres që Prokuroria të vërtetojë saktësisht se cilët të punësuar kanë punuar për furnizimet publike dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, por dëshmitë janë kryesisht për komisionet, të cilat kanë ndryshuar, janë dorëhequr anëtarët, janë emëruar anëtarë të rinj, të cilët i kanë miratuar anekset përmes të cilave marrëveshja ka arritur vlerë dyfish më të lartë.”,- deklaroi ministri i punëve të brendshme, Naqe Çulev.
Por, Spasovski porosit ministrin Çulev, të mos merret me akuza të kota po të ulet e të zgjidh problemin.
“Përderisa unë isha në MPB, nuk kishte asnjë problem me pasaportat dhe letërnjoftimet, as me mungesën e dokumenteve, e as me zbatimin e paligjshëm të tenderëve dhe kalimin e financave të Kompanisë “Veridos”. Çulev duhet të ulet dhe të zgjidh problemin me mungesën e formulareve për letërnjoftim dhe pasaporta.”,- theksoi kryeministri, Oliver Spasovski.
Në muajin e kaluar, Çulev ka informuar se formularë për pasaporta kishin deri në mes të muajit shkurt dhe furnizimi i ri ishte në 28 mars.
REJHANE BUSHI METAJ
