Maqedoni

Shkeli Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët, Spasovski kërkon shkarkimin e ministres Mizrahi

12.02.2020 17:52

Kryeministri, Oliver Spasovski, kërkon shkarkimin e ministres së punës dhe politikës sociale, Rashela Mizrahi....

Kryeministri, Oliver Spasovski, kërkon shkarkimin e ministres së punës dhe politikës sociale, Rashela Mizrahi, të cilën e akuzon se me vetëdije dhe qëllimisht shkel Kushtetutën dhe me këtë rrezikon të ardhmen euroatlantike të vendit. “Kryeministri dhe Qeveria e kanë për obligim të sigurojnë mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, sqaruan paraprakisht nga Qeveria. 
 
“Duhet të kemi përgjegjësi para qytetarëve, shtetit, ardhmërisë së tij. Nëse dikush vlerëson se interesat e ulëta partiake e politike janë më të rëndësishme se Maqedonia dhe e ardhmja e shtetit, gënjehet. Unë si kryeministër dhe qeveria nuk do të lejojmë që askush të luajë me fatin e shtetit e të qytetarëve. Propozimin e kam dhënë sepse askush nuk guxon të luajë me Kushtetutën dhe ligjet.”,- tha kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
 
Mickovski kundër shkarkimit të Mizrahit: Spasosvki le të shohë bashkëpunëtorët e tij
 
Ka reaguar kreu i VMRO-së, Hristian Micskovski, që i ka apeluar Spasovskit  të mos merret me akrobaci politike e të mos veprojë me nervozizëm nga frika e humbjes në zgjedhje.
 
“Në kushte kur kemi një serë bashkëpunëtorësh të Oliver Spasovskit për të cilët ka dyshime për krim apo kemi lidhje me krime të kryera, të flasim për propozim për shkarkimin e Rashela Mizrahit me të vërtetë as që është principiele por as nuk është në përputhje me Ligjin për Qeveri, veçanërisht tani kur jemi 60 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Sipas Kushtetutës, propozimin për shkarkimin e një anëtari të qeverisë, kuvendi duhet ta diskutojë në seancën e parë të radhës. 
 
GAZMEND KURTISHI