Maqedoni
Trupat rregullatorë, ASHAM: Duhet transformim dhe rregullativë e re
12.02.2020 18:06
Vendi ka nevojë për transformim dhe rregullativë të re për trupat rregullatorë....

Në një debat shkencor në ASHAM, komuniteti shkencor potencon se për funksionimin e ekonomisë së tregut duhen biznese të rregulluara dhe konsumatorë të kënaqur. Por, trupat rregullatorë, sipas akademikëve, janë harxhuese të panevojshme të mjeteve financiare të cilat nuk i arsyetojnë me punën që bëjnë. Akademikët i apelojnë qeverisë të ketë më shumë kontroll në zbatimin e rregulloreve.
“Ata nuk duhet të largohen nga parimet që u janë përcaktuar me ligj. Nëse përcaktohet në ligj si jofitimprurës, duhet të jetë jofitimprurës. Dhe këtu duhet të bëjnë kujdes me fondet, të zvogëlojnë komisionet dhe burimet e financimit që ato marrin, sepse kjo do të rrisë përfundimisht kostot e funksionimit të sektorit dhe në fund të fundit do të dëmtojë vetë konsumatorët. Qeveria duhet të kujdeset për këtë dhe t'i dijë këto gjëra, t'i analizojë këto gjëra.”,- deklaroi kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti.
Sipas hulumtimeve, trupat rregullatorë shpenzojnë shuma të larta financiare, planifikojnë shumë dhe realizojnë pak, e kjo sipas akademikëve, në mënyrë direkte ndikon në ekonomi.
“Analiza tregojnë se ato nuk janë të pavarura, se nuk janë aq transparente dhe të hapura, dhe mbi gjysma e qytetarëve dhe kompanive nuk janë të kënaqur me punën e tyre. Në të njëjtën kohë, ata nuk kryejnë veprimtarinë për të cilën janë formuar. Kanë probleme të mëdha me menaxhimin, planifikimin, financimin, drejtimin dhe kontrollin e sistemit.”,- tha anëtari i AShAM-it, Izet Zekiri.
Nga AShAM theksojnë nevojën e konferencave shkencore për të adresuar pyetjen se çfarë lloj rregullimi është i nevojshëm, nëse ka nevojë për të zvogëluar numrin e institucioneve rregullatorë për të krijuar një klimë më të mirë biznesi.
SEDAT SELIMI
