Maqedoni

KÇE mbyll diskutimin e Ligjit për PP-në, BDI: U pranuan kërkesat tona. LSDM: Jo më drejtësi selektive e amnisti të fshehtë. VMRO-DPMNE: Janë të tjerët ata që duan amnisti të fshehtë. Deskoska: Për çdo dëshmi apo dyshim, ka institucione

12.02.2020 18:31

Komisioni për Çështje Evropiane përfundoi diskutimin e pr/ligjit për Prokurori Publike dhe atë për Këshill të Prokurorëve...

Komisioni për Çështje Evropiane përfundoi diskutimin e pr/ligjit për Prokurori Publike dhe atë për Këshill të Prokurorëve dhe e dorëzoi për procedim të mëtejmë.
 
Diskutimi i cili mund të zgjaste dy ditë, u përmbyll shpejtë pasi pati vetëm dy  amendamente, një të ASh-së dhe një të deputetit, Panço Minov, të cilat u refuzuan. Sipas deputetit të BDI-së, Artan Grubi, në dy projektligjet janë përfshirë të gjitha kërkesat e partisë që përfaqëson.  
 
“Të gjitha kërkesat tona si BDI dhe si komunitet janë pranuar në të dy ligjet duke instaluar “Badenterin” në zgjedhjen e prokurorëve në Prokurorinë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke instaluar përdorimin e plotë dhe të barabartë të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat siç paraparë në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve edhe në Këshillin e Prokurorëve edhe në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe duke ulur kriteret për zgjedhjen e prokurorëve në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i prokurorëve shqiptarë në Prokurorinë e Përgjithshme.”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
LSDM konsideron se më propozim ligjet përforcohet shteti ligjor, s’do të ketë drejtësi selektive dhe as amnisti të fshehtë.
 
“Veç përforcimit të shtetit ligjor ky ligj garanton se nuk ka amnisti të fshehtë për askënd dhe se për çdokënd për të cilin ka akuzë do të përgjigjet para institucioneve përkatësisht para gjykatës konform ligjeve. Duket se kjo u pengon deputetëve të VMRO-DPMNE-së prandaj një vit bëjnë çmos që kjo zgjidhje ligjore të mos miratohet dhe të mos sundojë shteti ligjor.”,- theksoi Snezhana K. Vançeva nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE konsideron se përcaktimi me ligjin e ri për PP që përgjimet e paligjshme të vlejnë vetëm si indicia, paraqet moral të dyfishtë dhe se pushteti e bën këtë për të mbrojtur veten.
 
Deputeti, Antonio Milloshovski, publikoi një audio incizim ku pretendohet se ish kryeministri, Zoran Zaev, flet për të akuzuarin në Rastin “Zhvatja” Bojan Jovanovski dhe përkrahjen që i kanë dhënë mediumit të tij.
 
“Materiali audio  hedh pak dritë mbi atë se kush në të vërtetë do amnisti të fshehtë dhe pse dikush propozon që materialet në të cilat ka indicie serioze për korrupsion të lartë të vlejë deri dje dhe nuk mund të vlejnë sot ose nesër.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, përkujtoi deputetin Milloshoski se  duhet t’u drejtohet institucioneve e jo deputetëve.      
 
“Ekzistojnë institucione, kështu që nëse Milloshoski beson vërtetë në atë që lëshoi, le ta dorëzojë lirisht pranë institucioneve.”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Dy ligjet pritet të vihen në votim në seancë plenare në momentin kur kryeparalamentari të jetë i bindur se është garantuar përkrahja e 80 deputetëve.
 
SHPËTIM NUREDINI