Maqedoni

Bakllavaja, ëmbëlsira tradicionale e “Bajramit”

03.10.2014 17:36

Në prag të festës së “Kurban Bajramit”, ëmbëltoret e Çarshisë së Shkupit ishin mjaftë të frekuentuara...

Në prag të festës së “Kurban Bajramit”, ëmbëltoret e Çarshisë së Shkupit ishin mjaftë të frekuentuara, shumë qytetarë të komunitetit myslimanë përgatiteshin për këtë festë, e cila si specialitet kryesor dhe tradicional e ka bakllavanë.
 
Shumica e tyre  i janë përveshur punës për ta përgatitur vetë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme kishin zgjedhur t’i blinin të gatshme. Ata shprehen se llogaria ju del e njëjtë, sepse çmimi i kësaj ëmbëlsire nuk është i shtrenjtë.          
                 
“Varet se ku blen. Diku janë më shtrenjtë, diku më lirë, por normal janë, nuk janë shtrenjtë sipas kohës që të marrin dhe punës, janë lirë”- u shpreh një qytetare.
 
“Kur behët fjalë për “Bajram” nuk llogarisim. Unë personalisht e kam përgatit, se ç’farë kam bërë e di vetë”- tha një qytetare.
 
“Po, i blejmë, nuk janë të shtrenjta”- theksoi një qytetare.
 
“Jo nuk janë shtrenjtë, çmimi është i përshtatshëm, ne i kemi blerë, sepse i kemi 61 vjeç, nuk mundemi më, i marrim të gatshme”- u shpreh një qytetarë.
                                                      
Ndërsa në pjesën tjetër të Shkupit, në sheshin “Maqedonia” edhe në këtë “Bajram” shoqatat “Merhamet”, “Vizioni M” dhe “Femida Alb” ofruan bakllava për kalimtarët e rastit. “
 
Kjo është ëmbëlsirë tradicionale, “Bajrami” synon ta ëmbëlsojë edhe ambientin tonë dhe jetën tonë”- deklaroi Nulifer Sali, koordinatore e projektit.
 
“”Kurban Bajrami”, është festë e sakrificës dhe një ndër qëllimet që jemi këtu, festimi i kësaj feste bashkërisht me të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim feje apo nacionaliteti, të gjithë jemi bashkëqytetarë apo bashkështetas. Është një festë e paqes, tolerancës. Është një mesazh i paqes që duam ta përcjellim te të gjithë të rinjtë e R. Maqedonisë”- deklaroi koordinatorja e projektit, Nulifer Sali.
 
Ajo shpjegoi se projekti realizohet me vetiniciativë dhe pa ndonjë mbështetje nga ndonjë institucion.
 
“Jemi shumë të gëzuar që bashkëqytetarët tanë shqiptarë myslimanë na gostitin për “Bajram”. Do të ishte mirë që edhe vezë pashke t’u shpërndahen bashkëqytetarëve tanë në festën e “Pashkëve””- deklaroi një kalimtar rasti.
 
“Shumë mirë, ne duhet ta tregojmë kulturën tonë, kjo është pjesë e kulturës tonë, pse jo ta njohin edhe popujt tjerë ç’farë kulture kemi”- tha një qytetarë.
 
Shpërndarja e bakllavasë, sipas organizatorëve, bëhet edhe me qëllim që ta ndërgjegjësojë qytetarin e Shkupit, se megjithatë ky qytet duhet ta respektojë praninë e tjetrit këtu.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU