Maqedoni

Ministria e Bujqësisë: Moskoordinim mes ministrit e zëvendësministrit

13.02.2020 15:06

Rastësisht ose jo, në Ministrinë e Bujqësisë u zhvilluan dy pres-konferenca në të njëjtën kohë....

Zëvendësministri teknik i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, akuzoi se për një kohë të gjatë në këtë ministri po aplikohet transferimi i të punësuarve. Për të vërtetuar pretendimet, Tripuniovski në press konferencë shoqërohej nga një i punësuar në policinë e pyjeve.
 
“Më kanë kthyer në rajon tjetër dhe tani sërish jam kthyer në Kriva Pallankë pa nënshkrimin e ministrit teknik. Kam ndërruar shumë herë vendin e punës për një periudhë të shkurtë kohore.”,- tha Atanas Mladenovski nga Policia Pyjore në Kratovë.
 
“Kjo që po ndodh nuk duhet të bëhet praktikë dhe për këtë gjë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo është maltretim klasik ndaj të punësuarve duke shtruar presion, këtë gjë nuk mund ta pranoj jo vetëm në  Policinë Pyjore, por nuk mund ta pranoj asnjë transferim të tillë në asnjë institucion dhe shpresoj që kjo dukuri të mos përsëritet më.”,- theksoi zëvendësministri plotësues në Ministrinë e Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
 
Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski, deklaroi se nuk ka koordinim me zëvendësministrin plotësues Tripunovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së. 
 
“Dy herë kemi pasur takime dhe kemi biseduar që të mos ketë obstruksione në punën e institucioneve, por nuk i përmbahen asaj marrëveshje. Është bërë shpallja publike për zhvillim të qendrave rajonale, qendrat kanë mundësi të realizojnë investime për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski.
 
Dimovski njëherit bëri të ditur se për përkrahje të qendrave rajonale për këtë vit janë ndarë 10 milion denarë. Njëherit është gjetur edhe zgjidhje ligjore për të kompensuar banorët që u dëmtuan nga vërshimet në Shkup në vitin 2016. Ndërsa në fund të muajit përfundon afati për blerjen e duhanit, ndërsa ministri tha se janë blerë rreth 97 për qind e sasisë, ndërsa çmimi mesatar për kilogram ka arritur në 220.45 denarë.
 
GAZMEND REXHEPI