Maqedoni

Shkarkimi i Mizrahit, Spasovski: Nuk ka kompromis, shkeli Kushtetutën

13.02.2020 15:19

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, nuk ka ndërmend të tërheqë kërkesën për shkarkimin e ministres për Punë dhe Politikë Sociale...

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, nuk ka ndërmend të tërheqë kërkesën për shkarkimin e ministres për Punë dhe Politikë Sociale, Rashela Mizrahi, për të shmangur ndonjë krizë eventuale politike. Ripërsëriti se nuk bëhet kompromis me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve. 
 
“Unë mund të bëj kompromis dhe të diskutoj çështje politike, të kërkojmë zgjidhje për ato çështje, por të bëjë kompromis për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit, e veçanërisht për një ministër që i bën deklaratë solemne në Kuvend se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjin, një gjë të tillë nuk do ta lejoj.”,- tha kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
 
Spasovski nuk ka dhënë ndonjë propozim për zëvendësin e Mizrahit, sepse propozimin duhet ta japë opozita.
 
“Unë pres që opozita të veprojë me mençuri dhe të propozojë një kandidat që respekton Kushtetutën dhe ligjet. Për shembull, një nga deputetët që votoi për Maqedoninë e Veriut dhe Protokollin e NATO-s mund të jetë si një zgjidhje e mundshme. Kjo varet nga ata.”,- theksoi kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
 
Kryeministri Spasovski propozoi në kuvend shkarkimin e Mizrahit, pasi ministrja gjatë paraqitjeve të saj në konferencat për shtyp nuk respektoi as emrin e ri kushtetues e as Ligjin për Gjuhët në tabelën që qëndronte pas saj.  Ajo u arsyetua se tabela ishte që në kohën e paraardhëses së saj, por shkoi edhe më tej, duke thënë se ishte gati të paguante gjobën, por tabelën nuk do ta ndryshonte. Sipas Kushtetutës, Kuvendi vendos për propozimin për shkarkimin e një anëtari të Qeverisë në seancën e parë të radhës, me të paktën 61 vota.