Botë
Gripi sezonal, regjistrohet viktima e parë këtë vit, Kuzmanovska: Gripi po përhapet te rinia shkollore
13.02.2020 15:28
Gripi sezonal ka marrë viktimën e parë për vitin 2020 në vend....

Një 14-vjeçare mbrëmë ka ndërruar jetë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Viktima ka vuajtur edhe nga probleme tjera shëndetësore, thotë Gordana Kuzmanovska - epidemiologe.
“Dje morëm njoftim nga Klinika e Fëmijëve për vdekjen e fëmijës 14-vjeçar, që ka pasur edhe probleme tjera shëndetësore. Ky është rasti i parë i vdekjes nga gripi këtë sezon.”,- theksoi epidemiologja, Gordana Kuzmanovska.
Numri i të prekurve nga gripi vazhdon të rritet, thotë Kuzmanovska, sipas të cilës brenda javës janë regjistruar mbi 3600 persona, apo 28% më shumë se një javë më parë, apo 60% më shumë se vitin e kaluar. Numri më i madh i të prekurve së fundmi janë të rinjtë e moshës shkollore, prandaj Kuzmanovska nuk e përjashton mundësinë që si masë parandaluese të kërkohet edhe ndërprerja e mësimit për disa ditë.
“Këtë javë, ashtu si edhe javën e kaluar, po zhvendoset grupmosha e të prekurve nga më të vegjlit prej zero deri në 4 vjeç, tani po kalon te mosha shkollore prej 5 deri më 19 vjeç.”,- u shpreh epidemiologia, Gordana Kuzmanovska.
Numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi ka tejkaluar numrin mbi 10 mijë e 700 persona. Gripi ka prekur tërë vendin, përveç në Demir Hisarit, ku tani për tani nuk është regjistruar asnjë i prekur nga gripi.
GYLTENE SINANI
