Maqedoni

Osmani dhe Dimitrov në Paris, presim konsensus nga BE për datë para majit

13.02.2020 15:44

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, presin konsensus mes vendeve anëtare të BE-së për vendimin për hapje të negociatave aderuese para Samitit të majit në Zagreb. Në Paris ata u takuan me këshilltarin diplomatik për Evropën të presidentit, Emanuel Makron, me sekretarin shtetëror në Ministrinë për Evropë, me kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin Nacional dhe sekretarin e Përgjithshëm për Çështje Evropiane të Francës.
 
“Porositë janë të qarta, metodologjia është bazë e mirë e cila garanton progresin  për vendet të cilat janë të përkushtuar për të bërë reforma, që është e mirëpritur nga qytetarët të cilët presin rezultate. Do të jetë sfidë për politikanët që do të duhet të punojnë shumë dhe në mënyrë transparente për të bërë reformat e duhura. Vazhdojmë me përkushtimin tonë që të bëjmë raportin e jashtëzakonshëm të shkurtit sa më të pasur me argumente që t’ua lehtësojmë miqve tanë të BE-së të marrin vendimin e duhur dhe të fillojmë këtë proces.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
“Elementet për të mbyllur në tërësi këtë pyetje janë para nesh, njëra është metodologjia e re të cilën e propozoi Komisioni Europian dhe e dyta raporti i ardhshëm paraprak për përparim nga Komisioni Europian. E jona është që të angazhohemi që ky raport të jetë pozitiv i cili gjithsesi e përmban edhe miratimin e Ligjit për Prokurori Publike.”,- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
 
Vizita në Francë është në vazhdën e aktiviteteve të shtuara diplomatike e shtetërore, për realizimin e qëllimit strategjik të vendit, marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në. 
 
GAZMEND KURTISHI