Maqedoni

MPJ: Në anijen “Diamond Princess”, një shtetas i RMV-së i prekur nga COVID-19

13.02.2020 15:58

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është konfirmuar prania e COVID-19....

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është konfirmuar prania e COVID-19, apo virusit Korona tek një nga shtetasit e vendit tonë që gjendet në anijen “Diamond Princess” në Jokohama të Japonisë. 
 
“Në pajtim me informacionet më të reja të marra nga organet kompetente japoneze, informojmë se ka ardhur deri te ndryshimi lidhur me gjendjen e shtetasve maqedonas që gjenden në anijen “Diamond Princess” në Jokohama, Japoni. Është konfirmuar prania e COVID-19 tek njëri prej tyre, i cili për momentin është shtrirë në spital në Japoni”,- thuhet në njoftimin e MPJ-së. 
 
Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tokio është në komunikim me shtetasin në fjalë. Njëherit, ambasada në baza ditore komunikon edhe me dy shtetasit tjerë të cilët ende gjenden në anijen në Jokohama dhe të cilët deklarojnë se ndjehen mirë dhe deri tani nuk kanë shfaqur simptoma që mund të tregojnë praninë e COVID-19, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
 
“Një nga shtetasit tanë është testuar dhe ka rezultuar pozitiv. Bëhet fjalë për formë të lehtë të sëmundjes, por duke pasur parasysh procedurat rutinore, ky shtetas i yni është transportuar në spital në Jokahoma, ku ndodhet për mjekim.”,- theksoi epidemiologia, Gordana Kuzmanovska.
 
Anija, e cila ankoroi në portin Jokohama afër kryeqytetit Tokio, më 4 shkurt u vendos në karantinë, pasi tek një nga pasagjerët nga Hong Kongu u zbulua virusi COVID-19. Ministria e Shëndetësisë së Japonisë ka bërë të ditur se një grua e infektuar me virusin e ri ka vdekur, duke u bërë rasti i parë i vdekjes së konfirmuar në vend nga koronavirusi. Viktima është një grua e moshës 80-vjeçare, e cila ishte trajtuar në një spital afër Tokios që nga fillimi i shkurtit, pasi shfaqi simptoma. Infeksioni i saj u konfirmua pas vdekjes së saj. Numri i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 1368, ndërsa 59 883 persona janë të infektuar.
 
Në Vietnam, një zonë ku jetojnë rreth 10 mijë njerëz në provincën Vinh Phuc është vendosur në karantinë me qëllim marrjen e masave kundër virusit korona Covid-19.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI