Maqedoni

Debat “Zgjedhjet e lira përballë propagandës së zezë”

13.02.2020 16:10

Propaganda e zezë, lajmet e rrejshme, diskreditimet dhe gjuha e urrejtjes do ta shoqërojnë edhe këtë fushatë zgjedhore....

Ky është konstatimi që u nxor nga panel diskutimi i organizuar nga “Civil” me temë “Zgjedhjet e lira përballë propagandës së zezë”. Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska, thotë se në fillim të formimit të qeverisë teknike ka qenë optimiste për zgjedhje të lira dhe demokratike, por muajin e fundit në MPB po ndërmerren disa hapa që lënë përshtypje të kundërt.
 
“MPB është një nga organet më të ndjeshme, roli i saj nuk është vetëm ruajtja e vendvotimeve, ndikimi policëve mund të abuzohet, siç ka qenë në të kaluarën. Ne duhet të dërgojmë mesazh që Ministria e Brendshme do t'i zhvillojë zgjedhjet në mënyrë profesionale, që do të thotë se mënyra e vjetër e ndërhyrjes së partive në punën e MPB-së duhet të harrohen.”,- deklaroi zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska.
 
Profesoresha universitare, Jasna Baçovska, vlerëson se lajmet e rrejshme dhe propaganda paraqesin problem edhe në politikën ndërkombëtare, prandaj nevojiten media me integritet. 
 
“Vlerat evropiane thonë mos e rregulloni median, lini atë të vetërregullohet, gazetaria është një profesion i hapur, çdokush mund të hapë një portal dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë. Në drejtim të rregullimit shumë pak mund të bëjmë, duhet të punojmë për integritetin e mediave. Në Maqedoni nuk u shpreh vullneti politik për të forcuar shërbimin e mediave në asnjë qeveri dhe ne na mungon cilësia e mediave.”,- deklaroi prefesoresha universitare, Jasna Baçovska.
                                                                                    
Koordinatori kombëtar për komunikime strategjike në Qeveri, Marjan Zbrçanec, thotë se kjo fushatë zgjedhore do të zhvillohet më së shumti në rrjetet sociale, por u ngelet partive politike të vendosin se a do t’i shfrytëzojnë ato për të promovuar programin partiak, apo për të plasuar lajme të rrejshme dhe propagandë të zezë.
 
“Mbetet te fuqia, vullneti dhe efikasiteti i partisë politike a do të zgjidhin rrjetet sociale për të promovuar programet e tyre, a do t’i angazhojnë aktivistët dhe promovuesit e tyre në drejtim pozitiv, për të promovuar të vërtetën dhe programin e tyre ose me struktura të organizuara nëntokësore këto grupacione do të shfrytëzohen për nxirjen e kundërshtarit duke bërë propaganda të zezë.”,- u shpreh koordinatori kombëtar për komunikime strategjike në Qeveri, Marian Zbrçanec. 
 
Megjithatë, koordinatori kombëtar për komunikime strategjike në Qeveri, Marjan Zbrçanec, thotë se në tre vitet e fundit situata në mediat e vendit ka ndryshuar për të mirë.  
 
SANIJE DURAKU