Maqedoni
Marsh përkujtimor, 1 vjet nga tragjedia e Llaskarcës
13.02.2020 16:23
Një vit më parë ndodhi një nga tragjeditë më të rënda që përjetoi vendi....

Autobusi i kompanisë “Durmo Turs”, i nisur rreth orës 17 nga Shkupi drejt Gostivarit, doli nga rruga dhe u rrokullis në fshatin Llaskarcë. Nga kjo fatkeqësi 16 persona humbën jetën, ndërsa 39 të tjerë u shtruan nëpër spitale pas lëndimeve që morën nga aksidenti.
Përkujtimi i njëvjetorit të kësaj tragjedie filloi në orët e para të mëngjesit ku banorë, familjarë të viktimave vendosën lule në vendin e fatkeqësisë, ndërsa më pastaj nisën një marsh që përfundoi në qendrën e Gostivarit, ku shprehën dëshirën që një fatkeqësi e tillë të mos përsëritet më asnjëherë.
“Në këtë aktivitet human t’i përkrahim edhe familjet, mirëpo edhe të rrisim vetëdijesimin e institucioneve për t’i zbardhur këto raste dhe në të ardhmen mos të na ndodhin këso raste.”,- theksoi organizatori, Jashar Hirda.
“Ideja jonë është që të ngrejë vetëdijen e qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në të ardhmen gjatë vozitjes.”,- tha alpinisti, Zamir Mustafa.
“Ta shënojmë vetëm me një arsye që kurrë të mos përsëritet jo vetëm në Gostivar por askund në botë.”,- u shpreh kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Për tragjedinë e 13 shkurtit të akuzuar për këtë rast janë 6 persona: pronari i Kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari, dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski, akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa 3 të punësuarit e stacionit të kontrollit teknik akuzohen veprën më të lehtë “pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale”.
ZEKIRJA MEXHITI
