Maqedoni
Banorët e tre fshatrave kërkojnë ndërprerjen e hedhjes së mbeturinave në gropat e Termocentralit të Osllomesë
13.02.2020 16:41
Banorët e disa fshatrave të ish komunës së Osllomesë, sot organizuan një protestë kundër vendimit të komunës së Kërçovës....

Banorët e disa fshatrave të ish komunës së Osllomesë, sot organizuan një protestë kundër vendimit të komunës së Kërçovës për hedhjen e mbeturinave në hapësirat e gërmuara të Termocentralit të Osllomesë.
Në shenjë revolte kundër vendimit të komunës së Kërçovës për hedhjen e mbeturinave në gropat e Termocentralit të Osllomesë, banorët e fshatrave Strellcë, Garanë, Cërvicë, Premkë, Shutovë dhe vendbanimeve tjera të ish komunës së Osllomesë, sot bllokuan rrugën regjionale në drejtim të Termocentralit të Osllomesë. Duke shprehur indinjatën e banorëve të këtyre fshatrave, kryetari i BL të fshatit Garanë-Strellcë, Fadil Emini, në një prononcim për programin tonë, nga komuna e Kërçovës kërkoi shqyrtimin e vendimit të komunës dhe ndërprerjen urgjente të hedhjes së mbeturinave në gropat e Termocentralit, sepse në të kundërtën, siç u shpreh ai, protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës së banorëve të këtyre vendbanimeve.
Pas përfundimit të protestës dyorëshe, u drejtuam në komunën e Kërçovës për të marrë prononcimin e kryetarit, Fatmir Dehari, rreth kërkesës së këtyre banorëve, por nga kabineti i tij na thanë se kryetari Dehari do t’u thirr kur të jetë gati për prononcim mbi problemin në fjalë.
SHABAN DALIPI
