Maqedoni

Çulev, akuza Spasovskit për mungesën e pasaportave

13.02.2020 17:25

Problemet dhe kaosi i cili u krijua me pasaportat e udhëtimit, si duket do të jetë aktuale deri më 24 mars....

Problemet dhe kaosi i cili u krijua me pasaportat e udhëtimit, si duket do të jetë aktuale deri më 24 mars, kur pritet të arrijë dërgesa e re e dokumenteve të udhëtimit sipas kontratës. Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, duke akuzuar për këtë ish ministrin, Oliver Spasovski, theksoi se do ta informojë Qeverinë për çështjen e dokumenteve të udhëtimit, sepse, sipas tij, plotë 14.900 qytetarë janë duke pritur që t’ju lëshohen pasaportat, ndërsa ka vetëm rreth 4,900 formularë.
 
“Si Ministri e Punëve të Brendshme do ju dalim në ndihmë qytetarëve të vendit, por kuptohet me sasi të caktuar. Periudha nga porositja e deri te prodhimi është gjashtë muaj. Pasaportat nuk janë porositur në numër të mjaftueshëm dhe me kohë. Tani po përballemi me mungesë dhe numër të pamjaftueshëm të dokumenteve të udhëtimit. Dërgesa e re e dokumenteve të udhëtimit sipas kontratës do të arrijë më 24 mars të këtij viti, kjo është pak më shumë se një muaj.”,- deklaroi ministri teknik i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Naqe Çulev.
 
Petrovska: Çulev të mos merret me akuza, të zgjidh problemin
 
Ndërsa zëvendësministrja teknike e këtij dikasteri pohoi se ministri nuk duhet të merret me akuza, por të zgjidh problemin. 
 
“Përgjegjësi duhet të ketë, sepse obligim ligjor dhe përgjegjësi e ministrisë është që t’i pajis me pasaporta qytetarët. Dhe unë apeloj që të gjendet zgjidhje sa më shpejtë që është e mundur dhe ministri këtë e ka si autorizim, dhe në vend se të merret me akuza, duhet të gjejë zgjidhje dhe t’ju dalim në ndihmë qytetarëve.”,- theksoi zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska.
 
Dërgesa e re e pasaportave nga operatori ekonomik “Veridos” duhet të arrijë për më shumë se një muaj, por autoritetet po bëjnë përpjekje për t’u shkurtuar periudha e prokurimit, që dërgesa të realizohet sa më parë.
 
FITIM KRYEZIU