Rasti "Zhvatja”, incizimet e Kamçevit si dëshmi në seancë

13.02.2020 18:00

Seanca e sotme gjyqësore për rastin "Zhvatja"....

Seanca e sotme gjyqësore për rastin "Zhvatja" ka vazhduar me dëshmitë nga incizimet video dhe biseda audio me të akuzuarit të siguruara nga dëshmitari, Orce Kamçev. Në pjesën më të madhe të incizimeve dëgjohet zëri i Bojan Jovanovskit, Orce Kamçevit, në disa raste zëri i Katica Janevës, Zoran Milevskit dhe persona të tjerë.

Ata bisedojnë për rastin "Perandoria” dhe procedurat e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, ku Jovanovski thekson se Janeva nuk do të përdorë mjete juridike. Përmendet marrëveshje me PSP-në që të ndërpritet hetimi, ndërsa Janeva thekson se gjithçka do të jetë në rregull.

"Për një pjesë të punëve do të lirohesh nga dyshimi dhe akuza, ndërsa për një apo dy gjëra do të pranosh fajin. Do të jetë shumë më e lehtë për një pjesë të punëve për të cilat do të dakordohemi që të pranosh fajin dhe do të duhet të paguash pak dëmshpërblim shtetit.",- dëgjohet teksa Jovanovski i drejtohet Kamçevit.

Jovanovski rastin "Perandoria" e cilëson si shembull shkollor nga ana e prokurores, Lile Stefanova, ndërsa i njofton se nëna dhe motra e Orce Kamçevit do të lirohen nga akuza. Në njërën nga bisedat dëgjohet teksa Kamçevi hidhërohet se pse prokurorja, Lile Stefanova, ka ftuar gazetarët në brifing për rastin "Perandoria" dhe se qëllimi i saj është i paqartë.

"Unë të thashë nëse është ajo nën kontroll, t’i më the se "po do të jetë". Unë të garantoj se nuk ka krim, se dëshmitë e saj janë për në Radovish. Nuk ka fshehje të tatimit, nuk ka asgjë. Qëllimi i saj është i paqartë, nëse kam gabuar do të mbaj burgun.",- i thotë Kamçevi Jovanovskit. Përplasja mes prokurores Ruskoska dhe të akuzuarës Janeva u shkaktua në momentin kur Ruskoska kërkoi që në pjesën e tretë të bisedave të incizuara të përjashtohet publiku, me arsyetimin se bëhet fjalë për biseda private.

"Kërkoj që mos të përjashtohet publiku dhe të prezantohen të gjitha dëshmitë. Të shihet se kush manipulon, kush ofron zhvatje, kush mito dhe kush është i manipuluar… Prokuroria duhet t’i shpalos të gjitha dëshmitë, është dashur të mendoni kur i propozoni, në të kundërtën po e shkelni Ligjin.",- tha Katica Janeva.

Ndërkohë, Ruskoska iu përgjigj Janevës se ajo është shkaktare e këtij gjykimi. "Ju sikur të mendonit, sot nuk do të ishim në këtë gjykimore".

Në njërën nga incizimet, Kamçevi qeshet me të madhe teksa i tregon Jovanovskit se të hollat që është dashur t’ia dorëzojë i ka numëruar dy orë dhe se ka pasur kujdes që çanta t’i përshtatet stilit të tij të veshjes. Mbrojtja e të akuzuarve gjithë kohës kishte vërejtje se bëhet fjalë për biseda joautentike. Sipas avokatit të Jovanovskit, Sasho Dukovski, Kamçev është dëshmitar në këtë rast dhe i ka sjellë këto materiale në prokurori, sepse është i dyshuar në lëndën "Perandoria" dhe qëllimi i tij është që Jovanovski të shpallet fajtor.

Ndërkohë, vërejtja e të akuzuarit të parë, Bojan Jovanovskit, ishte se bëhet fjalë për montim amator të incizimeve. Gjykimi për "Zhvatjen " do të vazhdoje gjatë ditës së nesërme. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)