OBSh: Nuk ka ndryshime në ashpërsinë e “Kovid 19”
Rastet me virusin Korona, që tashmë ka emrin zyrtar “Kovid 19”....

Rastet me virusin Korona, që tashmë ka emrin zyrtar “Kovid 19”, nuk po rriten në mënyrë dramatike jashtë Kinës, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Përjashtimi i vetëm ishte në një anije lundrimi në Japoni, ku u raportuan 44 raste të reja, duke e çuar totalin në 218 te prekur. Jashtë Kinës ka pasur dy viktima dhe 447 raste të prekura në 24 vende Gjithashtu sipas OBSH-së, nuk pati ndonjë ndryshim të madh në modelin e vdekshmërisë ose ashpërsisë së virusit.
Shifrat e fundit tregojnë 121 vdekje të reja në Kinë, duke e çuar totalin në 1.383 persona te vdekur dhe raportohen më tepër se 64.000 persona të infektuar. Shifrat e fundit nga Hubei regjistruan 116 vdekje dhe 4,823 raste të reja. Kjo është një rritje më e vogël se një ditë më parë kur pati një goditje me 240 vdekje të reja dhe afro 15,000 raste të reja. Aktualisht nuk ka vaksinë për “Kovid 19”.
Në Bruksel, ministrat e shëndetësisë së BE-së diskutuan në një takim krize kufizimin e përhapjes së virusit. Nuk u vendos asnjë masë specifike, por u ra dakord për një shkëmbim intensiv të informacioneve. Infeksionet me virusin Korona në BE janë të pakta.
