Maqedoni
RMV me gaz natyror, Bekteshi: Kërkojmë partner privat
14.02.2020 14:32
Maqedonia e Veriut do të ketë rrjetin distribuiv të gazit natyror....

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, njoftoi se është shpallur thirrja publike, në të cilën shteti kërkon partner privat për ndërtimin e këtij rrjeti. Këtë projekt, Bekteshi e vlerësoi si një nga më të rëndësishmit, i cili, sipas tij, do të ndikojë në aspektin ekonomik, social dhe në atë ekologjik.
“Kërkojmë partner privat për ndërtimin e rrjetit distribuiv, ku do të ketë përfitime shumë të mëdha nga ana e qytetarëve të RMV-së, përfitime të cilat do të ulin koston sa i përket energjisë të cilën ato e përdorin. Diku në bazë të studimit të fizibilitetit dhe analizave të cilat i kemi bërë do të ulin me diku rreth 30-40%, por njëkohësisht do të ndikojë pozitivisht edhe në mbrojtjen e ambientit jetësor.”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bajrami: Kyçja e amvisërive, jo më shumë se 100 euro
Një ndër kushtet në thirrjen publike është që kyçja për amvisëritë të mos kushtojë më shumë se 100 euro.
“Në fazën e parë do të përfshihen të gjitha komunat që gravitojnë rreth rrjetit të transmisionit, domethënë prej kufirit të Bullgarisë deri në Shkup, i gjithë rajoni i Pollogut, i gjithë rajoni i Vardarit dhe i Pellagonisë. Kusht për operatorin privat do të jetë që të ndërtohen minimum 50% të komunave urbane dhe minimum 30% të komunave rurale.”,- theksoi drejtori i resurseve energjetike, Bajram Rexhepi.
Sipas autoriteteve, ky është investimi më i madh kapital në historikun e Maqedonisë së Veriut, i cili do të tejkalojë 300 milion euro. Për momentin ka interesim të madh te më shumë kompani të huaja të cilat priten të lajmërohen në thirrjen publike.
ERSAN PAJAZITI
