Maqedoni
Festohet Dita e Dashurisë, lule e dhurata për të dashurin e zemrës
14.02.2020 15:31
14 shkurti mbush rrugët me lule, tullumbace e shumë dashuri, sepse sot është dita e të dashuruarve....

Tradita e festës daton shekuj më parë, nga një festival romak që zyrtarisht shënonte fillimin e pranverës, kur djemtë tërhiqnin nga një kuti emrat e vajzave me të cilën shpesh edhe martoheshin. Shumë më vonë festa mori emrin e Shën Valentinit, një prifti katolik të shekullit të tretë, që martonte fshehurazi ushtarët edhe përkundër ndalesës nga perandori Klaudius.
Valentini vdiq në burg. Me gjithë fundin e tij tragjik, festa është në fakt mënyra për të shënuar dashurinë. E në këtë ditë, ata që gëzohen më shumë janë padyshim shitësit e luleve dhe dhuratave, sepse Valentini pa lule, nuk ka kuptim. Qytetarët e anketuar nga TVM2 pranojnë se dashuria duhet festuar çdo ditë, megjithatë është gjë e bukur edhe dita e veçantë kushtuar ndjenjave të zemrës.
“Kjo ditë për mua do të thotë dashuri, mirëkuptim dhe harmoni. Unë në këtë ditë më shumë dhuroj dashuri dhe pastaj dhuratën.”,- theksoi një qytetar.
“Për ne çdo ditë është ditë e të dashuruarve, pak më vonë ndonjë lule.”,- u shpreh një qytetar.
“Sa i përket bashkëshortes, nuk duhet vetëm një ditë, por çdo ditë.”,- theksoi një qytetar.
Bota ka traditat e saj të festimit. Në Gjermani e Holandë dërgohen letra dashurie dhe çokollata në formë zemre. Në Angli dërgohen letra nga admiruesit anonimë. Në Spanjë dhurohen ekskluzivisht trëndafila të kuq. Në Poloni, Francë, Itali e Ukrainë, çiftet varin në ura drunjtë e mbyllur dhe çelësin e hedhin në lumë. Në Amerikë festën e festojnë edhe fëmijët. Në Japoni janë vajzat ato që u dërgojnë dhurata djemve.
REJHANE BUSHI METAJ
