Botë

Marrëveshje e re mes Kosovës dhe Serbisë, mesazhe paqeje e zhvillimi nga konferenca në Munih

14.02.2020 15:56

Pas marrëveshjes për trafikun ajror, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe marrëveshjen....

Pas marrëveshjes për trafikun ajror, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe marrëveshjen e radhës për hekurudhat dhe autostradat mes dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të konferencës së sigurisë në Munih, me praninë e ambasadorit amerikan, Richard Grenell, dhe presidentëve të dy shteteve, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit. 
 
“Siç e dini të gjithë, ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera.”,- theksoi i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
 
“Marrëveshja e sotme për hekurudhat dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë më tepër paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, atë çka i duhet njerëzve tanë edhe Kosovës, edhe Serbisë edhe tërë Ballkanit Perëndimor.”,- theksoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Jam i lumtur që shoh përparim dhe në emër të Serbisë falënderoj Trumpin dhe Grenelin, pasi të gjithë e ndjejmë se nga kjo do të kemi vullnet për ardhmërinë që të sigurojmë paqen për dekadat e ardhshme.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Në konferencën e sigurisë po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk ishte i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes.
 
GYLTENE SINANI