Maqedoni

Pasojat nga vërshimet, bujqit kërkojnë kompensim të plotë për dëmet

14.02.2020 16:38

Bujqit nga komuna Haraçinës dhe Gazibabës dolën në rrugë për të kërkuar nga qeveria kompensim të dëmeve...

Bujqit nga komuna Haraçinës dhe Gazibabës dolën në rrugë për të kërkuar nga qeveria kompensim të dëmeve që kanë pësuar nga vërshimet e viteve të kaluara. Ata kërkuan pagesë të plotë për dëmet nga vërshimet e vitit 2016, si dhe dëmshpërblim për dëmet nga breshëri në muajin e maj të vitit 2018 që përfshiu këto zona. 
 
“Qeveria ende nuk e ka paguar pjesën e bujqve, pra prodhimin bujqësor që kemi pasur dëme, një pjesë është e paguar një pjesë jo. Dhe kërkesa e dytë, dëmi që ka ndodhur nga viti 2018 nga breshëri, komuna Haraçinës dhe Gazibabës kanë bërë vlerësimin e dëmeve dhe tani më tre muaj i bëjmë 2 vjet dhe ende nuk kemi përgjigje. Do bëhet sot, do bëhet nesër e akoma nuk ka asgjë.”,- u shpreh organizatori i protestës, Adnan Hajrullahu.
 
 “2016 vërshime patëm, na paguan 10 për qind, ndërsa 90 për qind nuk na kanë paguar. 2018 prapë kemi pasur vërshime, po bëhen 2 vjet nuk na kanë paguar. Kam pasur dredhëza, shalqi, duhan…”,- u shpreh një BUJK.
 
“Vërshimet mi kanë marrë 100 bagëti dhe absolutisht askush nuk ka ardhur, më kanë dhënë një dokument që nuk është i vlefshëm.”,- theksoi një blegtor.
 
Nga Ministria e Bujqësisë ishin të pakapshëm për t’u prononcuar në lidhje me protestën e bujqve, por një ditë më parë ministri e Bujqësisë, Trajan Dimovski, qartësoi se për mospagesën e plotë për dëmet nga vërshimet e 2016 ka ekzistuar pengesë ligjore, por se kjo tashmë është tejkaluar, ndërsa për përkrahje të qendrave rajonale janë ndarë 10 milion denarë.
 
ZEKIRJA MEXHITI