Maqedoni

Spasovski: Njëherë miratimi i ligjeve, pastaj shpërbërja

14.02.2020 16:47

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, thotë se kuvendi nuk mund të shpërbëhet...

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, thotë se kuvendi nuk mund të shpërbëhet nëse nuk miratohen ligjet e rëndësishme. Prioritet janë ligjet dhe jo të shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të jetë primare për të gjitha partitë politike, thotë Spasosvki. Tensionet në kuvend i cilësoi si lojë për përfitime politike. 
 
“Kur ofrohen zgjedhjet, gjithmonë ka tensione. Tensionet në Kuvend janë vetëm për përfitime politike. Takim liderësh do të shohim nëse do të ketë dhe kur do të ketë, ndërkohë që shpërbërje të Kuvendit nuk mund të ketë pa miratimin e ligjeve.”,- u shpreh kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
 
Kushtëzimi i votimit të ligjeve, LSDM dhe BDI mohojnë zërat se kanë mospajtime
 
Kryeministri mohoi zërat për mospajtime me BDI-në për miratimin e ligjeve. 
 
“Relacionet me BDI-në janë korrekte, ashtu siç e kemi filluar koalicionin me ta, ashtu edhe do të përfundojmë, nuk pres që të ketë mospajtime dhe shtyrje eventuale të miratimit të ligjeve, në rast se vjen deri tek kjo, atëherë do të mendojmë për një partner të ri të koalicionit.”,- deklaroi kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
 
Edhe BDI hedh poshtë zërat për mospajtime mes partnerëve të koalicionit. 
 
“BDI-ja Ligjin për Prokurori dhe Ligjin për Këshillin e Prokurorëve nuk e kushtëzon me kurrfarë ligji dhe kurrfarë procedure, as me Kodin Zgjedhor. Miratimin e Ligjit për Prokurori Publike ne deputetët e BDI-së njëzëri do ta votojmë.”,- theksoi Artan Grubi nga BDI.
 
 Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Grubi: U pranua amendamenti i BDI-së
 
Grubi thotë se nuk ka asnjë kushtëzim për Ligjin për PP-në, për më tepër kur në ndryshimet e Kodit Zgjedhor është pranuar amendamenti i BDI-së për ndryshimin e kufijve zgjedhorë. Përkujtoi gjithsesi se data për mbajtjen e zgjedhjeve më 12 prill është dakorduar me konsensus dhe zgjedhjet nuk mund të shtyhen në mënyrë të njëanshme.
 
“Tashmë është dakorduar Kodi Zgjedhor dhe është nënshkruar nga të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare. Në të janë të gjithë ndryshimet nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe është pranuar edhe amendamenti i BDI-së për ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore.”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, disa vendvotime në Dibër dhe Movrovë-Rostushë do të kalojnë nga njësia e 6 në njësinë e 5 zgjedhore.  
 
FITIM KRYEZIU