Maqedoni
Deputetët preferojnë makinat, KSHPK: Në 5 vite u shpenzuan 3 milionë euro
14.02.2020 17:01
Deputetët kanë të drejtë që të udhëtojnë falas me autobusë dhe trena...

Deputetët kanë të drejtë që të udhëtojnë falas me autobusë dhe trena, por asnjëri prej tyre nuk i preferon mjetet publike të transportit. Nuk kanë përse në fakt, pasi buxheti ua mbulon shpenzimet e rrugës për automjetet personale. E nuk bëhet fjalë për pak mjete. Për transportin e preferuar të deputetëve, Kuvendi ka shpenzuar rreth 3 milion euro nga viti 2015 deri më 2019. Nuk është harxhuar vetëm për transport, por gjatë kohës kur kanë marrë para për harxhime rruge, kuvendi u ka paguar edhe qiratë për qëndrim në Shkup dhe atë nga 400 euro plus 100 euro për harxhime shtesë.
“Në vitin 2015 90 deputetët kanë shfrytëzuar veturat e tyre për transport në 2016, 88 deputetë në 2017, 86 - 2018, 76 dhe në 2019 - 75 deputetë. Shihet qartë se ky është transporti i preferuar i deputetëve. Është konstatuar se në periudhën e analizuar, 23 deputetë kanë banesa të veta apo banesa në emër të një anëtari nga familja e tyre e ngushtë, të cilat janë të locuara në Shkup, ndërsa edhe krahas kësaj, ata deputetë kanë pranuar kompensime për shfrytëzim të automjetit për ardhje dhe kthim nga puna, përkatësisht për udhëtim deri në Shkup dhe kthim.”,- theksoi anëtarja e Komisionit, Katica Nikollovska.
Nga Anti-korrupsioni rekomandojnë që deputetët të jenë më racional, ndërsa kërkojnë që Kuvendi të vendos kritere konkrete se çfarë banesash mund të marrin me qira e deri ku mund të arrijë kompensimi për të njëjtat.
SANIJE DURAKU
