Maqedoni

Zaev: Votat i kemi, por nuk duam shumicë të re në Kuvend

14.02.2020 17:18

LSDM as nuk dëshiron e as nuk planifikon të formojë shumicë të re parlamentare, thotë lideri i saj, Zoran Zaev...

LSDM as nuk dëshiron e as nuk planifikon të formojë shumicë të re parlamentare, thotë lideri i saj, Zoran Zaev, edhe pse një ditë më parë sekretari i përgjithshëm të partisë së tij, Lupço Nikollovski, paralajmëroi në rrjetet sociale se nëse në Kuvend vazhdohet me taktizime për të  pamundësuar votimin e ligjeve të rëndësishme, ekziston mundësi reale për të formuar shumicë të re parlamentare dhe qeveri të re të qëndrueshme, e cila do të organizojë zgjedhje të rregullta parlamentare. Zaev gjithsesi thotë se i ka votat për shumicë të re, por nuk dëshiron që kjo gjë të kuptohet si kërcënim ndaj dikujt.
 
“As nuk duam, as nuk planifikojmë formim të shumicës, që gjithsesi është e sigurt. E dini që kjo është e mundur që ta bëjmë, për shkak se jemi para sigurimit të 80 deputetëve, e lëre më shumicës prej 61 deputetëve. Mirëpo, nuk dëshiroj askush ta kuptojë këtë si kërcënim. Edhe unë e jap si porosi, si sekretari ynë i përgjithshëm, se shteti është, para së gjithash, për të gjithë ne, pas tij vijnë partitë dhe kalkulimet politike. Duam të ketë zgjedhje më 12 prill dhe parlamenti të shpërndahet me kohë. Por, para së gjithash duam që Kuvendi të përfundojë në kohë e sipas planifikimit punët e tij, e të votojë zgjidhjet ligjore.”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.